FIER-Endri Goga dhe Shaban Skeja kanë pranuar para Policisë së Fierit përdhunimin e vajzës në Seman, madje burimet policore bëjnë të ditur se 20 vjeçari Goga ka qarë para grupit hetimor.

Gazeta “Panorama” boton sot pjesë nga dëshmia e Gogës i cili ka deklaruar se plani i tyre fillestar ishte vetëm grabitja, por kur kanë parë vajzën e zhveshur e kanë lidhur dhe e kanë përdhunuar.

“Dolëm si edhe herë të tjera të shikonim për ndonjë që lëvizte aty për t’i marrë lekët. Kjo ishte mënyra jonë e jetesës. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Me bagëtitë nuk ka asnjë fitim dhe duhet të sigurojmë bukën. Kur kishim dalë në një pjesë të pyllit, pamë makinën e çiftit. Ne u afruam për t’u kërkuar paratë. I gjetëm në momente intime dhe as ne nuk rezistuam dot kur pamë vajzën e zhveshur. Pasi u morëm lekët, i lidhëm dhe me vajzën kryem marrëdhënie duke e kërcënuar me armë. Pastaj u larguam dhe i lamë të lidhur”, janë shprehur dy të arrestuarit në Polici.

I fejuari i vajzës tërhoqi denoncimin se e kishin përdhunuar dy barinjtë

Policia e Fierit bëri të ditur dje se nuk ka marrë dëshmi për përdhunimin e të fejuarit të vajzës në ngjarjen e Semanit, për të cilën u ndaluan dy persona.

Djali është tërhequr nga denoncimi për përdhunimin e tij dhe nuk i është kryer as ekspertizë mjekoligjore. Ndërsa arsyet e tërheqjes dyshohet se kanë të bëjnë për faktin se ai është ndier i turpëruar për ndodhinë edhe para grupit hetimor, por edhe nga frika e publikimit të identitetit të tij.

Dy të fejuarit me inicialet, V.M. dhe E.A. u sulmuan nga çobanët më 20 tetor të këtij viti. Pas ngjarjes ata deponuan në polici se agresorët mbanin erë të çobanit. Policia i ka mbajtur në përgjim dy të rinjtë që jetonin në një stan në afërsi të pyllit. Blutë kanë ndërhyrë në momentin kur ata po planifikonin grabitjen e radhës dhe po lëviznin në një “Benz” pa targa.

Ndërsa dyshohet se ata mund të kenë kryer edhe më parë përdhunime në zonë, por rastet nuk janë denoncuar për shkaqe të ndryshme.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: