TIRANE- Kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako, thotë se 24-vjeçari Mikel Shallari i arrestuar mëngjesin e sotëm nga Policia e Tiranës, është ekzekutori i komisarit Artan Cuku në hyrje të pallatit ku ai banonte. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 8 prill 2017, ndërsa ditën e sotme u bë i mundur ndalimi i 24-vjeçarit me origjinë nga Kuçova dhe banues në Qytet Studenti në Tiranë.

Por 24-vjeçari nuk e ka pranuar autorësinë e krimit, dhe mohon të ketë lidhje me ngjarjen.

Prokurori i Krimeve të Rënda, Enrik Ligori, i cili ka ndjekur çështjen, thotë se Shallarit i është ofruar bashkëpunimi me drejtësinë.

Por ai shton se, “Nuk dihet nëse ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje”.

Ligori tha se janë mbledhur prova të mjaftueshme që fajësojnë Mikel Shallarin si vrasës të komisar Artan Cukut.

Ai u shpreh ende nuk dihet se kush është ideatori, por është e sigurt se pistoletën e ka shkrepur Shallari.

“Ideatorin ende nuk e dimë. Mund të jetë Mikel Shallari, mund të jetë dikush tjetër. Unë kam pasur dy komunikime me të. Ai vazhdon të mohojë përfshirjen e tij në krim. i janë treguar të gjitha provat që e ngarkojnë atë me përgjegjësi. Ai është njohur me to. i janë ofruar të gjitha lehtësitë që parashikon ligji në rastet e bashkëpunimit me drejtësinë. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me të”, tha prokurori i Krimeve të Rënda, Enrik Ligori.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: