Gazetarja Klodiana Lala siguron për “BalkanWeb” pjesë nga dosja e Prokurorisë për efektivin e RENEA-s, Xhuljo Lici, dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Dedë Nimani e Luan Gaçi, të arrestuar pak ditë më parë për trafik kokaine.

Në dosje thuhet se të tre të arrestuarit kanë shkuar te bagazhi i makinës, ku efektivi i RENEA-s ka nxjerrë prej aty një pako, të cilën e ka hedhur, sapo ka parë policinë të ndërhyjë.

“Punonjësit e policisë kanë evidentuar si pasagjer Ded Nimani dhe si drejtues një shtetas të panjohur. Në këtë moment, shtetasi Luan Gaçi është afruar pranë automjetit nga i cili dolën të dy personat e tjerë. Të tre këta persona kanë shkuar te bagazhi i automjetit me targa AA 892 BZ dhe personi i panjohur hapi bagazhin dhe ka nxjerrë andej një pako. Sapo pako është nxjerrë nga bagazhi ka ndërhyrë policia dhe ky person i panjohur e ka hedhur pakon në rrugë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Më tej, në dosjen e siguruar për “BalkanWeb” nga gazetarja Lala, jepet edhe një pjesë e dëshmisë së efektivit të RENEA-s, ku ky i fundit ka thënë se merrte shpesh njerëz në makinë, kur bënte rrugën nga Fieri në Tiranë.

“Policia Gjyqësore i ka shoqëruar të tre këta persona dhe rezultoi se: Pakoja mbante mbishkrimin “Baroni” dhe mbarte një sasi prej 1.088 kg lëndë të dyshuar si kokainë; personi i panjohur rezultoi të ishte shtetasi Xhuljo Liçi punonjës i forcave RENEA në qytetin e Fierit; shtetasi Xhuljo Liçi shpjegoi se është punonjës policie në Fier dhe ditën e ngjarjes po udhëtonte nga Fieri në Tiranë. Ai përgjithësisht merr njerëz në rrugën e kthimit në Tiranë. Në zonën e Plepave një person i kishte ngritur dorën dhe ai e kishte marrë. Ky person kishte një pako me vete, të cilën e vendosi në bagazh të makinës dhe nuk ka komunikime telefonike me ta”, thuhet më tej në dosjen e Prokurorisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb