TIRANË

Reagim me nervozizëm, goditje e kërcënime me armë. Këto janë akuzat për 37-vjeçarin Roland Kryemadhi të zbuluara në dosjen e prokurorisë të siguruar për “BalkanWeb” nga gazetarja Klodiana Lala. Babai i 4 fëmijëve, besimtar mysliman, i dyshuar si ekstremist u arrestua më 3 qershor në banesën e tij në Kamëz pasi i bëri rezistencë policisë që kishte shkuar për ta shoqëruar.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se fillimisht policia ka shkuar në banesën e tij në rr. “Washington” Kamëz dhe kanë trokitur në portën e tij. Pasi kanë trokitur disa herë dhe dera nuk është hapur ata kanë parë shtetasin Roland Kryemadhi duke ardhur në banesë me biçikletë. Nga policia i është kërkuar të vinte me ta pasi duhet të shoqërohej në Gjykatë në zbatim të urdhrit të gjyqtarit por ai ka reaguar me nervozizëm ndaj punonjësve të policisë të cilët ishin me uniformë.

“Për këtë arsye ata e kanë kapur nga duart për ta shoqëruar fillimisht në Komisariat dhe më pas në Gjykatë por Roland Kryemadhi i ka kundërshtuar ata me dhunë fizike duke iu ikur nga duart dhe futur në banesë. Gjatë kundërshtimit ai ka goditur me shkelm në bark policin Romeo Gjoka duke e gjakosur.

Pas futjes së tij në banesë policia është pozicionuar rreth banesës së tij për të mos lejuar largimin e tij por në këtë moment Roland Kryemadhi ka dalë në tarracën e banesës së tij me një pistoletë në dorë dhe pasi ka lëvizur djepin luajtës të armës prapa ua ka drejtuar atë punonjësve të policisë duke iu thënë me zë të lartë “Pasha Allahun largohuni këtu se do ju vras”. Pas pak ai ka dalë tek dera e banesës me armë në dorë dhe ia ka drejtuar armën policit Roland Islamaj duke i thënë ‘largohu se do ju vras’ dhe është futur përsëri në banesë”, deklaron prokuroria.

Patrulla ka kërkuar ndihmë nga Komisariati i Policisë nr.5 dhe forcat RENEA.

Pas ardhjes së forcave speciale ato kanë negociuar me Roland Kryemadhin dhe ai është dorëzuar tek ato. Policia ka bërë kontrollin e banesës së tij por nuk ka mundur të gjejë armën e zjarrit me të cilën ai ka kanosur ata por brenda në banesë kanë gjetur një thikë me teh në të dy anët, me kanal në mes, që ka karakteristikat e armëve të ftohta.

Prokuroria ka kërkuar vlerësimin e ligjshëm të masës së arrestit pasi sipas policisë është marrë në përputhje me kriteret procedurale. Ndaj Kryemadhit Prokuroria e Tiranës më 18 tetor 2019 ka filluar procedimin penal me akuzën për “goditje për shkak të detyrës”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb