GREQI

Detaje të reja zbardhen nga ngjarja e rëndë e ndodhur ditën e sotme në Spitalin Atikon, në Greqi, ku një pacient shqiptar sulmoi me thikë një infermiere dhe më pas u hodh nga kati i katërt i spitalit, duke ndërruar jetë.

Mësohet se 59-vjeçari shqiptar kishte dosje të pastër dhe kurohej vetëm për kirurgjinë në pneumotoraks, dhe se nuk kishte sëmundje psikike. Infermierja e dytë e turnit të natës, që u përpoq të ndalojë krimin, duke kapur pas krahëve shqiptarin, e duke hedhur thikën larg për pak sekonda, ka deklaruar se pacienti Petro Çako “kurohej për një javë dhe për pak do të dilte nga spitali.

Ishte një njeri shumë i sjellshëm dhe i komunikueshëm, nuk kishte asnjë problem, asnjëherë. Nuk kishte arsye të sulmonte njeri dhe nuk e dimë përse vrau veten”.

59-vjeçari ka goditur disa herë me thikë në trup infermieren 32-vjeçare greke, ndërsa ka kërcënuar edhe tre pacientët e tjerë që ndodheshin në dhomë, të cilët janë zgjuar të terrorizuar nga ulërimat e gruas. Fatmirësisht, infermierja është jashtë rrezikut për jetën, por ka shumë plagë në të gjithë trupin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb