Nga: Klodiana LALA

Zbardhet dosja e vëllezërve “Habilaj” e konsideruar si një nga më të bujshmet e momentit, për nga informacionet që mbart dhe interesin që ka për shkak edhe të përfshirjes së emrit të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Në dosjen hetimore që ka në duar prokuroria, e cila për lidhje me Habilajt, po heton edhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, pasi ky i fundit u shiti kushërinjve të tij makinën private, rezulton se një muaj pasi Saimir Tahiri u shkarkua si Ministër i Brendshëm dhe drejtimin e këtij dikasteri e mori Fatmir Xhafaj, policia u vu në ndjekje të Habilajve.

Ishin blutë e Vlorës që në prill 2017, i çuan materialin e parë Prokurorisë për Krime të Rënda, për vëllezërit Moisi e Florian Habilaj dhe disa persona të tjerë, të dyshuar si pjestarë të një grupi kriminal në fushën e trafikut të drogës”

Në dosjen që disponon News 24 dhe BalkanWeb, thuhet se: “Në datë 29 prill 2017 prokuroria regjistroi procedimin penal me nr.164 për veprën penale të trafikimit të narkotikëve në bashkëpunim, mbi bazën e informacioneve referuese të shërbimeve të policisë gjyqësore të seksionit kundër narkotikëve në drejtorinë vendore të policisë Vlorë. Sipas këtyre informacioneve rezulton se Nezar Seitaj, Moisi Habilaj, Florjan Habilaj dhe shtetasi M.M. ushtronin aktivitet kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: