News 24 siguron dosjen e prokurorisë, ku hidhet dritë mbi motivet e vrasjes së 17-vjeçares, Griselda Gjikolaj dhe plagosjen e Erjon Bengaj mbrëmjen e 26 dhjetorit të 2018, në zonën e Laprakës. Referuar dokumentit zyrtar, rezulton se e mitura është qëlluar me dy plumba në kokë, nga i dyshuari Robert Perpepaj, i cili prej disa kohësh e përndiqte sistematikisht dhe ishte kthyer në shqetësim për të. Vajza, thuhet në dosje  se i ka rrëfyer të fejuarit të saj Samir H., shqetësimet që po i sillte Roberti duke i kërkuar ta mbronte prej tij. 10 ditë përpara ngjarjes, i fejuari i 17-vjeçares dhe shoku i tij Erjon Benga, janë konfliktuar në Laprakë me të shumëkërkuarin 19-vjeçar.

Benga i ka kërkuar atij që të mos e ngacmonte Griseldën, por Përpepaj i është përgjigj se “është çun e mund të ngacmojë çdo vajze”. Në debat e sipër Erion Benga e ka qëlluar me shpullë të riun me origjinë nga Tropoja. Prej atij momenti Roberti nuk është bërë i gjallë, deri mbrëmjen e 26 dhjetorit kur edhe ndodhi krimi i rëndë.

Dyshimet janë se gjatë ditëve të fundit, ai ka planifikuar të hakmerret jo vetëm ndaj Erion Bengos, por edhe t’i marrë jetën vajzës, që përndiqte në çdo moment. Natën e ngjarjes, Griselda kishte dalë më të fejuarin, mikun e tij Erion Benga dhe një shoqe të saj në një nga lokalet e zonës. Rreth orës 18.05 minuta, ata kanë lënë lokalin dhe janë drejtuar për tek makina tip mercedez benz model E-class, ne pronësi të Erion Bengos.

Në dosje sqarohet se në timon është ulur Benga, pasagjer në vendin e parë ishte, Samiri, ndërsa dy vajzat ishin në sediljen e pasme. Menjëherë Sapo makina ka nisur lëvizjen, sipas dëshmisë së 26-vjecarit Benga, dy persona i kanë prerë rrugën dhe kanë filluar të godasin automjetin.
Ai ka tentuar të largohet duke shtuar shpejtësinë. Brenda pak sekondash, sqarohet në dosje,  i dyshuari Përpepaj ka dalë në anën e majtë të makinës  dhe ka qëlluar me dy plumba në kokë 17-vjeçaren.

Plumbat kanë kapur edhe Erion Bengajn. Referuar dëshmive, rezulton se i dyshuari tjetër, Ronald Muzhaqi, i cili tashmë ndodhet në qelitë e paraburgimit, ka vijuar të godasë automjetin, nga ana ku ishte ulur Samiri, i fejuari i viktimës. Për fat të mirë, ai dhe mikesha e ngushtë e vajzës, nuk u prekën nga plumbat. 26-vjeçari Benga ndonëse i plagosur, ka udhëtuar me automjetin e tij drejt spitalit të Traumës.

Por ende pa mbërritur në duart e mjekëve, Griselda kishte ndërruar jetë. Ndërkohë, që Benga është në gjendje të stabilizuar shëndetësore. Skena e krimit që tronditi kryeqytetit funddhjetorin e vitit që sapo lamë pas u rindërtua nga hetuesit, bazuar në rrëfimet e të mbijetuarve të atentatit dhe pamjeve filmike të kamerave të sigurisë së bizneseve të zonës, ku dukej qartë çdo lëvizje e autorëve.

Të dyshuarit Robert Perpepaj dhe Ronald Muzhaqi, ndaj të cilëve rëndon akuza e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese ndaj dy ose më shumë personave, kryer në bashkëpunim, kanë mundur ta realizojnë planin e tyre kriminal në më pak se dy minuta. Aktualisht, në kuadër të hetimeve të ngjarjes, prokuroria e Tiranës po vijon më pyetjen e familjarëve të viktimës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb