Policia e Elbasanit ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme ku mbeti i vrarë me armë zjarri 33-vjeçari Madrit Ulqinaku.

Sipas policisë autori që ka qëlluar me pistoletë me silenciator pas një debati mes grupit të shokëve të tij dhe Ulqiankut është vetëm 18 vjeç.

Ndërkohë në pranga ka përfunduar njëri prej pjesëtarëve të përfshirë në konflikt dhe në kërkim është shpallur një tjetër mik i autorit.

Njoftimi i policisë:

Vihet në pranga një 18-vjeçar, i përfshirë në konfliktin e çastit, gjatë të cilit mbeti i vrarë 33-vjeçari. Gjatë kontrollit fizik, 18-vjeçarit iu gjetën një mjet prerës (thikë) dhe një dorezë metalike.

Shpallet në kërkim autori i dyshuar i vrasjes dhe një person tjetër i përfshirë në konflikt.

Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një konflikt të çastit, për motive të dobëta, të ndodhur në lagjen “Kongresi”, Elbasan, ku u vra me armë zjarri shtetasi M. U., 33 vjeç, banues në Elbasan, grupi hetimor pas hetimeve paraprake të kryera , ka zbardhur ngjarjen.

Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasit H. P., 18 vjeç,  E. D., 18 vjeç dhe K. S., 33 vjeç, janë konfliktuar fillimisht verbalisht me shtetasin M. U. Më pas, shtetasi  H. P. dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit M. U., i cili si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën në vendngjarje.

Falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta dhe profesionale të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan dhe të atyre të DVP Elbasan , si dhe falë krehjes së zonës dhe kontrolleve me shërbime të shumta policie, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i njërit prej shtetasve të përfshirë në konflikt, shtetasit:

-E. D., 18 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja,  blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një thikë dhe një dorezë metalike.

Vijon puna intensive nga ana e shërbimeve të Policisë, për kapjen e 2 shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

 

 

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: