TIRANË

Zbardhet padia e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ndaj disa zyrtarëve të Institutit të Ndërtimit. Janë tre zyrtarë të denoncuar në prokurori, të cilët kanë firmosur aktekspertizën e marsit të vitit 2018 në lidhje me Teatrin Kombëtar. Ata akuzohen nga Aleanca për “Shpërdorim Detyre” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal e kryer në bashkëpunim.

Në padinë e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala për “BalkanWeb” thuhet se prej 27 muajsh segmente të caktuara të shtetit janë angazhuar me çdo mënyrë për të shembur godinën e Teatrit Kombëtar. Sipas kallëzimit, nga grupi i ekspertimit 3 prej tyre nuk e kishin cilësinë e kërkuar nga ligji për të realizuar aktin e ekspertimit pasi nuk kishin licencë dhe dokumenti i tyre ka sjellë vendimin e Këshillit Bashkiak për prishjen e Teatrit. Aleanca paralajmëron prokurorinë për një konflikt civil në Tiranë.

Po kështu thuhet se vVendimi i Këshillit Bashkiak është bazuar mbi akt-ekspertimin, e ndërmarrë nga Instituti i Ndërtimit, i kryer ne 13 maj. Sipas Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, ky akt-ekspertim është bazuar në atë të bërë në mars të vitit 2018 dhe nuk ka asnjë risi. Artistët kanë dërguar për ndjekje penale tre nga 5 personat, të cilët kanë firmosur aktin e 13 majit, që sipas tyre, këta persona nuk kanë qenë në asnjë moment në godinën e TK për të bërë ekspertizën.

Në kallëzim parashtrohen të gjitha faktet që nga vendimi i parlamenti, tek dekreti i Presidentit të Republikës Ilir Meta në korrik 2018 dhe vlerësimi teknik i godinës së Teatrit Kombëtar nga ana e Instituti të Ndërtimit më 23 mars të vitit 2018.

“Ky akt ekspertim referohej se ishte kryer bazuar në ekspertimin në terren të godinës së Teatrit Kombëtar dhe ishte firmosur nga grupi i punës me përbërje si më poshtë:
Ing. Agron Hysenlliu, Ing. Gramos Dushku, Ing. Anila Xhahysa, Ing. Stela Bita, Ing. Arjan Cika, Ing. Silvana Pasho, Ing. Mamica Shehi, Ing. Blerina Gjini, Ing. Afrim Cenga, Ark. Denada Gjoka, Ark. Ermal Draci.
Nga ky grup pune, 3 prej tyre nuk e kishin cilësinë e kërkuar nga ligji për të realizuar aktin e ekspertimit pasi nuk kishin licencë dhe konkretisht:
Shtetasit Afrim Cenga, Gramoz Dushku dhe Stela Bita.
Pikërisht kur u mendua se Qeveria ishte tërhequr nga projekti për prishjen e Teatrit Kombëtar pasi kishte rënë alibia se Teatri Kombëtar dhe trualli funksional po këmbeheshin me investimin e firmës private bazuar në një Ligj tërësisht antikushtetues, Këshilli Ministrave miraton VKM Nr. 377, datë 08.05.2020 “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë Nr. 1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë.”
Kjo VKM, vjen në kundërshtim me nenin 116 të Kushtetutës që përcakton hierarkinë e normave juridike. Sipas kësaj dispozite, ligjet kanë epërsi mbi aktet normative të Këshillit të Ministrave që në këtë rast është VKM-ja Nr. 377, datë 08.05.2020 “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë Nr. 1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë.”.
Kështu në vitin 2010 është miratuar ligji Nr. 10352 për “Artin dhe Kulturën” nga Kuvendi i Shqipërisë. Në nenin 5 të këtij ligji ku flitet për institucionet e artit dhe kulturës dhe thuhet se:
1. Institucionet e artit dhe kulturës janë subjekte publike dhe private;
2. Institucionet publike të artit dhe kulturës ndahen në qendrore dhe vendore;
3. Në institucionet publike qendrore të artit dhe kulturës, subjekt i këtij ligji, përfshihen:
-Teatri Kombëtar;
Pra ky ligji e përcakton shumë qartë që Teatri Kombëtar është varësi direkte e pushtetit qendror, në këtë rast Ministrisë së Kulturës, si i tillë ai nuk mund të kalojë në varësi të njësive të qeverisjes vendore me asnjë akt tjetër përveçse me ligj. Kjo nuk mund të bëhet me një vendim të Këshillit të Ministrave, pasi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 116 të saj përcakton “Hierarkinë e Normave” e VKM-të renditen më poshtë ligjeve dhe si te tilla nuk mund ti ndryshojnë ato apo marrëdhëniet që ligjet rregullojnë”, thuhet në padinë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar”.

Po kështu argumentohet se menjëherë pas miratimit të VKM-së, në datën 11.05.2020, Bashkia Tiranë me shkresën me nr. 15121 prot, i është drejtuar për vlerësim të godinës së Teatrit Kombëtar, Institutit të Ndërtimit.

“Instituti i Ndërtimit me shkresën me Nr. 1026 prot, të datës 13.05.2020 me shkresën me lëndë “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar” është përgjigjur me një material 6 faqe me grup pune të përbërë nga:
1. Ing. Agron Hysenlli në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të
Ndërtimit;
2. Ing. Afrim Cenga në cilësinë e përgjegjësit të sektorit pranë Institutit të
Ndërtimit;
3. Ing. Artur Hasantare me funksion përgjegjës sektori pranë Institutit të
Ndërtimit;
4. Ing. Olsi Nunaj me funksion specialist pranë Institutit të Ndërtimit;
5. Ark. Elbarina Kola me funksion specialist pranë Institutit të Ndërtimit.
Ky grup pune referon aktin e ekspertimit të datës 23.03.2018 edhe pse grupi i punës nuk është më i njëjti në pjesën më të madhe dhe ai akt u vërtetua botërisht se ishte pa asnjë vlerë shkencore pasi gjetja kryesore e tij lidhej me mungesën e qëndrueshmërisë së ndërtesës nga fenomenet sizmike ndërkohë që Teatrit Kombëtar i Shqipërisë i rezistoi pa asnjë dëm 2 tërmeteve të vitit 2019 dhe konkretisht tërmetit të muajit shtator dhe atij të muajt Nëntor i cili shkaktoi dëme të jashtëzakonshme në Tiranë dhe Durrës.
Bazuar në këtë akt, nga ana e Këshillit Bashkiak të Tiranës është justifikuar nisja e procedurës për miratimin e vendimit për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe konkretisht përmes shkresës me Nr. 15415 prot të datës 13.05.2020.
Në relacionin shoqërues “Për miratimin e shembjes së godinës së “Teatrit Kombëtar”, pasuri në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në akt ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e Godinës së Teatrit Kombëtar” është referuar si dokument ku bazohet vendimi për prishjen pikërisht shkresa me nr. 1026/1 prot e datës 13.05.2020 e Institutit të Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”.
Në vendimin Nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak të Tiranës “Për miratimin e shembjes së godinës së “Teatrit Kombëtar”, pasuri në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në aktekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e Godinës së Teatrit Kombëtar” në pjesën hyrëse të vendimit përcaktohet se ky vendim është marrë në mbështetje të shkresës me nr. 1026/1 prot e datës 13.05.2020 e Institutit të Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”.
Sa më sipër, sot i drejtohemi prokurorisë më këtë kallëzim penal ndaj këtyre shtetasve për veprat penale të “Shpërdorim Detyre” të parashikuar nga neni 244 i K.Penal dhe “Falsifikimi i dokumenteve” parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal e kryer në bashkëpunim”.

Sipas padisë, shtetasit Artur Hasantare, Olsi Nunaj dhe Elbarina Kola nuk kanë qenë në grupin e punës që ka kryer aktin e ekspertimit të datës 23.03.2018.

“Ky fakt është shumë i rëndësishëm pasi këta tre shtetas në cilësinë e ekspertëve janë shprehur në vendimin “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar” si më poshtë:
“Kushtet aktuale të godinës së Teatrit Kombëtar nga ana statike nuk janë të përshtatshme për kryerjen e aktiviteteve, ato janë jashtë normave të projektimit dhe shfrytëzimit të një objekti të kësaj kategorie”.
“Vetiu lindin pyetjet:
1. Këta tre shtetas në cilësinë e ekspertëve si arritën t’i vlerësojnë kushtet aktuale të godinës së Teatrit Kombëtar kur nuk kanë bërë ekspertim fizik të godinës?
2. Mbi çfarë provash shkencore e bazojnë këtë përfundim këta ekspertë?
3. Këta ekspertë kanë dhënë mendim personal bazuar në përfundimet e tyre shkencore konkrete apo i janë referuar nga fillimi deri në fund një ekspertimi të kryer nga ekspertë të tjerë?
4. Nëse këta shtetas i janë referuar vetëm aktit të ekspertimit të vitit 2018 atëhere çfarë kuptimi ka ekspertimi i tyre dhe mbi cfarë tagri e kane referuar aktin e ekspertimit të datës 13.05.2020?
Bazuar në këtë akt, nga ana e Këshillit Bashkiak të Tiranës është justifikuar nisja e procedurës për miratimin e vendimit për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe konkretisht përmes shkresës me Nr. 15415 prot të datës 13.05.2020. Pra akti i tyre ka sjellë pasoja”.

Aleanca thotë se subjekt i kësaj vepre penale është i posaçëm, subjekti që ushtron detyra publike që në rastin konkret janë shtetasit Artur Hasantare, Olsi Nunaj dhe Elbarina Kola.

“Nga ana subjektive vepra është kryer me dashje, pasi të tre këta shtetas kanë qenë të vetëdijshëm që ekspertimi i tyre është bërë fiktiv, i pabazuar në verifikime konkrete të gjendjes së Teatrit Kombëtar dhe me vetëdije ata shprehen në ekspertim se “Kushtet aktuale të godinës së Teatrit Kombëtar nga ana statike nuk janë të përshtatshme për kryerjen e aktiviteteve, ato janë jashtë normave të projektimit dhe shfrytëzimit të një objekti të kësaj kategorie” duke i nisur këshilltarëve të Bashkisë Tiranë një ekspertizë të pavërtetë dhe të pabazuar në verifikimet në terren. Ekspertët kanë marrë atribute që nuk i takojnë me ligj duke çuar Këshillin Bashkiak në një vendimmarrje të gabuar.
Me besimin te shteti ligjor ne ju drejtohemi për vendosjen e përgjegjësve përpara ligjit. Ju kujtojmë se si rezultat i veprimeve të këtyre shtetasve vendi është futur në një përplasje institucionale të fortë dhe qyteti rrezikon një konflikt civil me pasoja të paparashikueshme për rendin dhe sigurinë publike”.

Kallëzimi është firmosur nga regjisori Robert Budina, Neritan Liçaj, Juli Emiri, Gentian Gaba, Ervin Goci, Doriana Musaj, Saimir Dervishi, Mirela Karabina Ceraga, Fran Ndoj, Astrit Seranaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb