TIRANE- Gazeta “Panorama” shkruan sot se sipas radhës, në kallëzimin e bërë nga Nikoll Prenga, banues në Durrës, të akuzuar janë Ramiz Alia, Fatos Nano, Sali Berisha, Aleksandër Meksi, Bashkim Fino, Pandeli Majko, Ilir Meta, Ylli Bufi dhe Edi Rama. Sipas dokumentit, kallëzimi është bërë për ndjekje penale ndaj ish krerëve të qeverive shqiptare me motivacionin për veprimtari të papërgjegjshme në detyrë, shpërdorim të besimit dhe menaxhim shkatërrimtar në drejtimin shtetëror.
“Për veprimtarinë e tyre duhet të hetohen dhe të përgjigjen penalisht para ligjit për tragjeditë materiale­jetësore që i kanë sjellë vendit nga viti 1990 e deri më sot”, thuhet në kallëzimin e qytetarit nga Durrësi. Padia ishte pushuar nga Prokuroria Durrës, por, së fundi, Gjykata e Lartë ka urdhëruar Prokurorinë e Përgjithshme ta hetojë çështjen.
HETIMI I KRYEMINISTRAVE
Në kallëzim Nikoll Prenga rendit edhe akuzat ndaj të gjithë ishkryeministrave, duke përfshirë edhe kryetarin aktual të Qeverisë. Duke iu adresuar në mënyrë direkte kryeprokurorit Adriatik Llalla, autori i kallëzimit kërkon që organi i akuzës të marrë si provë inventarin fizik të vlerave monetare të shtetit shqiptar në vitin 1990, si dhe evidencat e rezervave shtetërore dhe gjendjen e thesarit të shtetit. “Të përgjigjen dhe të japin llogari për menaxhimin dhe rrugët ku kanë përfunduar këto pasuri të popullit shqiptar”, shkruan Nikoll Prenga në kallëzimin e tij. Më tej, ai kërkon që drejtuesit e qeverive: “Të përgjigjen për cenimin e sedrës dhe krenarisë kombëtare, shkatërrimin e unitetit dhe ekuilibrave kombëtare, për humbjen e jetëve njerëzore në këto vite, tragjeditë, vrasjet, kaosin, trafiqet, drogën e prostitucionin, si dhe shkatërrimin e degjenerimin e familjes shqiptare”.
KALLËZIMI
Autori i padisë penale kërkon nxjerrjen në dritë të këtyre veprimtarive kriminale të drejtuesve të papërgjegjshëm e të inkriminuar në Republikën e Shqipërisë, që kanë shkatërruar gjithçka. Duke iu adresuar kryeprokurorit Llalla, autori i padisë shkruan se hetimi i kësaj çështjeje do të jetë një akt moral, detyrim ligjor për një komb dinjitoz që ka guximin dhe di të vendosë në vendin që u takon gjërave dhe njerëzve, sidomos atyre që kanë luajtur me jetët dhe djersën e popullit.
AKUZAT
Në padinë e bërë nga Nikoll Prenga, të gjithë ish krerët e qeverive pas vitit 1990, akuzohen se kanë kryer shkatërrim të veprave kapitale të shtetit, tradhti, dhunim e përvetësim të pasurisë. Akuza të tjera në kallëzim janë ato për përvetësim, humbje apo fshehje të rezervave shtetërore dhe thesarit të vendit. Paditësi i akuzon politikanët për mungesë transparence me fondet që kanë marrë nga bashkësia ndërkombëtare, si dhe për tragjeditë kriminale në jetët njerëzore, si vrasjet, droga, prostitucioni, trafikimi, përdhunimet e korrupsioni.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb