DURRES-Zbardhet shkresa e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, e cila ka nisur procedimin penal për transferimin e 2800 votuesve në Durrës. Shkresa e dorëzuar nga drejtuesi i Prokurorisë, Agron Gjana në KQZ, thekson se procedimi ka nisur për tri vepra penale, atë të “falsifikimit të dokumenteve” nga personi në detyrë dhe në bashkëpunim dhe “shpërdorim i detyrës”, si dhe veprën penale të “falsifikimit kompjuterik”, shkruan gazeta Panorama.

Në shkresën zyrtare të datës 16 qershor 2015, Prokuroria bën me dije se ka urdhëruar vendosjen e sekuestros ndaj listave të shtetasve që janë transferuar në Durrës në mënyrë fiktive. “Në përfundim të hetimit, me vendim nr.337, datë 09.06.2015 të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, është vendosur ‘sekuestrimi i të dhënave kompjuterike në lidhje me përbërësit e gjendjes civile që u përkasin shtetasve sipas listës bashkëlidhur vendimit, pjesë integrale e tij, duke urdhëruar ndalimin e kryerjeve të veprimeve të mëtejshme me këto të dhëna nga Zyra e Gjendjes Civile’. Ky vendim i datës 10.06.2015 i është dërguar për ekzekutim Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile në Tiranë, së cilës i është dërguar lista e shtetasve që dyshohen se janë regjistruar në mënyrë fiktive”, thuhet në shkresën e Prokurorisë, në të cilën më tej theksohet se shkresat që po i dërgohen KQZ¬së janë të konsideruara sekret dhe për këtë arsye nuk duhet të publikohen.

KËRKESA E PD
Partia Demokratike ka depozituar dje kërkesën, në të cilën kërkon që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të marrë masa për të urdhëruar Drejtorinë e Gjendjes Civile të prodhojë listat e reja zgjedhore, ku të mos figurojnë 2800 zgjedhësit e Durrësit dhe 600 qytetarët e transferuar në mënyrë fiktive në Kavajë. “Momenti kohor është ende i përshtatshëm për marrjen e të gjitha masave për të parandaluar prodhimin e efekteve të paligjshme të një krimi elektoral, të paralajmëruar prej më shumë se një muaji. Kërkojmë nga ana e KQZ që të marrë të gjitha masat e nevojshme, duke urdhëruar Drejtorinë e Gjendjes Civile të prodhojë dhe shpërndajë në KZAZ¬të përkatëse listat zgjedhore në të cilat të mos figurojnë të dhënat e shtetasve, rekordet e të cilëve Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kavajë i ka sekuestruar”, thuhet në shkresën e PD. KQZ vendosi që të thërrasë sot përfaqësues të Drejtorisë së Gjendjes Civile që të raportojnë për këtë problematikë të denoncuar nga PD.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb