TIRANË

Zbardhen detaje të reja nga aksioni i Policisë së Tiranës për goditjen e “call center-ave’, që mashtrojnë qytetarët.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se policia ka identifikuar ambientin, ku ishte vendosur ‘call center-i’ i paregjistruar, që mashtronte shtetasit e huaj, duke përfituar shuma të mëdha parash.

31-vjeçari i arrestuar, Olti Ferhataj, së bashku me tre shtetasit e proceduar, mashtronin qytetarët, duke thënë se ishin agjentë burse dhe i bindin ata të investonin shuma të konsiderueshme për të blerë monedha elektronike.

Siç mëson gazetarja Bezat, rasti i fundit ishte një qytetar italian, i cili është mashtruar nëpërmjet telefonave për të investuar mbi 100 mijë euro për të blerë kriptomonedha. Nga verifikimet e policisë ka rezultuar se 31-vjeçari i arrestuar dhe bashkëpunëtorët e tij i mashtronin shtetasit e huaj, duke u prezantuar si ajentë burse.

“Pasditen e djeshme sektori për krimin ekonomik dhe financiar ka zhvilluar një operacion ku ka goditur një call center të paregjistruar në QKB. Olti Ferhataj, 31 vjeç në bashkëpunim me 3 persona të tjerë të proceduar, kryenin telefonata me shtetas të ndryshëm, kryesisht në Itali prezantoheshin si agjent bursash dhe i bindnin të investonin në kriptomonedha. Nëpërmjet mashtrimit janë përfituar shumë të ndryshme parash. Një shtetas italian ka investuar në muaj të ndryshëm, nëpërmjet këtyre telefonatash një shumë prej 108 mijë eurosh. Shuma nuk është derdhur në një ditë, por në muaj të ndryshme. Ferhataj i thoshte italianit se duke investuar paratë e tij, pasuria do t’i shumëfishohej. Një operacion i ngjashëm ka ndodhur dhe në Durrës paditen e djeshme”, raportoi gazetarja Bezat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb