TIRANE

Pas përfundimit të takimit 90-minutësh të kreut të qeverisë Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta, deklarata e parë zyrtare ka ardhur nga kryeministria.

“Me kërkesë të tij, Kryeministri u takua me Presidentin e Republikës, për të diskutuar rreth përmbajtjes së letrës së këtij të fundit mbi propozimin për dekretimin e Gjeneral Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm. Bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës,” thuhet nga burime zyrtare të kryeministrisë.

Ditën e djeshme kryeministri Rama iu është drejtuar me një mesazh edhe deputetëve, të cilëve iu kërkon të mos lëshojnë asnjë koment për vullnetin e treguar nga kreu i shtetit.

Mes tjerash, Rama shkruajti se shumica e ka për detyrë t’i dalë për zot  kushtetutës dhe qytetarëve, ndërsa politikën e cilëson si një lojë shahu, e cila nuk duhet harruar sipas Ramës.

“Lutem asnje lloj komenti askush per vendimin e Presidentit! Ne jemi shumica dhe ne kemi detyren t’i dalim Zot njerezve, vendit, Kushtetutes me maturi dhe vendosmeri. Politika eshte shah, mos e harroni”, thuhej në mesazhin e Kryeministrit drejtuar deputetëve.

Refuzimi i dekretimit

Zyra e shtypit njoftoi dje se presidenti Meta nuk e ka krijuar bindjen per te dekretuar Lleshin si minister te ri.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Z.Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm”, thuhej ne njoftimin e shkurtër të Presidencës.

Një javë më parë, pikërisht të shtunën më 27 tetor, Rama njoftoi se kishte emëruar pas dorëheqjes së Fatmir Xhafaj, gjeneral Sandër Lleshin në postin e ministrit të brendshëm. Pak orë pas dorëheqjes, Meta dekretoi shkarkimin e Xhafajt, por jo edhe emërimin e Sandër Lleshit.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: