Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE – Si rrallëherë, Gjykata e Tiranës publikoi brenda 24 orësh, vendimin e arsyetuar, për ish-Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili u shpall i pafajshëm për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Në dokumentin prej 16 faqesh, gjykatësi Artan Gjermeni rendit argumentet ku është bazuar për të hedhur poshtë hetimet e prokurorisë për ish-kreun e Bankës Qendrore. Në vendimin e gjykatës theksohet se “veprimet e të pandehurit Ardian Fullani nuk plotësojnë elementët që kërkon legjislacioni penal, për t’i cilësuar ato si elementë të ‘shpërdorimit të detyrës'”.

Mandej, gjy-katësi Gjermeni u referohet edhe vendimeve të mëparshme të dhëna po nga Gjykata e Tiranës, ku për vjedhjen e 713 milionëve në Thesarin e Shtetit, janë cilësuar fajtorë dhe dënuar dy ish-punonjësit, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia. Siç është konstatuar edhe në gjykimet e zhvilluara ndaj personave të përfshirë në këtë vjedhje, – arsyeton gjykata, – ajo ka qenë produkt i shkeljes flagrante të rregullave, udhëzimeve dhe urdhrave që rregullonin procedurat dhe veprimtarinë në Departamentin e Emisionit. “Pra, kjo vjedhje ka ndodhur si rezultat jo i mungesës së akteve rregulluese ligjore e të procedurave lidhur me veprimtarinë në këto arka, por, si rezultat i moszbatimit të kërkesave ligjore të përcaktuara në rregullore, udhëzime dhe urdhrat e nxjerrë në bazë dhe për zbatim”, theksohet ndër të tjera.

Mospropozimi i zv.guvernatorit
Sa i përket qëndrimit të pro-kurorisë se mospropozimi nga ana e Fullanit e zv.guvernatorit të dytë, ka krijuar kushtet për vjedhjen në Thesar, për gjykatën është tërësisht i pabazuar në ligj. “Gjykata vëren se, në asnjë dispozitë ligjore nuk përcaktohet ndonjë afat për bërjen e propozimit, duke u lënë kështu në diskrecion të guvernatorit. Gjykata vëren se, ashtu siç është pretenduar nga akuza dhe siç është pranuar edhe nga i pandehuri, vendi i zëvendësguvernatorit të dytë të Bankës së Shqipërisë ka qenë vakant. Por, gjithashtu ka rezultuar se detyrat e tij janë kryer nga zëvendësguvernatori i parë. Pra kjo mungesë nuk ka shkaktuar dhe as nuk ka pasur arsye të mendohej se mund të shkaktonte probleme ose mangësi në funksionimin e përditshëm të Bankës së Shqipërisë.

Pretendimi i organit të akuzës se mungesa e guvernatorit të dytë ka cenuar sistemin e kontrollit pranë Bankës së Shqipërisë, ka krijuar boshllëk në përmbushjen e detyrave të këtij funksioni që lidhen drejtpërdrejt me administrimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e akteve dhe procedurave të përdorimit të mjeteve financiare si dhe në drejtimin e përgjithshëm ekzekutiv dhe administrativ në Bankën e Shqipërisë, duke krijuar lehtësira për vjedhjen e shumës prej 713 milionë lekësh prej shtetasit Ardian Bitraj, është i pabazuar në prova e në ligj. Edhe një herë, gjykata çmon të theksojë se ky mospropozim, ndryshe nga ç’pretendon organi i akuzës, nuk ka krijuar boshllëk në kryerjen e këtij funksioni, pasi, për sa kohë që kjo situatë është e rregulluar me vendim të Këshillit Mbikëqyrës, mungesa e zëvendësguvernatorit të dytë, në asnjë rast nuk e vendos bankën përpara një boshllëku ligjor dhe as praktik, pasi të gjitha funksionet e tij janë kryer nga zëvendësguvernatori i parë”, thuhet në vendim. Mandej, theksohet se funksionet e përmendura nga organi i akuzës në lidhje me administrimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e akteve dhe procedurave të përdorimit të mjeteve financiare si dhe me drejtimin e përgjithshëm ekzekutiv dhe administrativ, i takojnë sipas ligjit, Këshillit Mbikëqyrës dhe jo zëvendësguvernatorit të dytë.

Pretendimi i organit të akuzës, se i pandehuri Fullani nuk ka marrë masa për zbatimin e vendimeve dhe udhëzimeve të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës, çka ka ndikuar drejtpërsëdrejti në vjedhjen e Thesarit, gjithashtu për gjykatën nuk gjen mbështetje ligjore. “Pavarësisht pretendimit të saj për mosmarrjen e masave dhe veprimin e të pandehurit në kundërshtim me këto dispozita, nga ana e organit të akuzës nuk është evidentuar se cili vendim apo rregullore e Këshillit Mbikëqyrës nuk është zbatuar nga i pandehuri, cila ka qenë shkelja e kryer dhe masa që ai duhej të merrte dhe që nuk e ka marrë. Nuk u pretendua, e jo më të provohej nga organi i akuzës, se cila nga këto mënyra kontrolli ka munguar.

Blerja e ish-Hotel Dajtit
Sa i përket blerjes së ish-Hotel Dajtit, gjykata argumenton se nga veprimet e Ardian Fullanit, nuk i është shkaktuar asnjë dëm shtetit. “Nga ana e organit të akuzës u pretendua, se të gjitha veprimet e kryera nga ana e Bankës së Shqipërisë në kuadër të prokurimit të drejtpërdrejtë për blerjen e ish-Hotel Dajtit kanë qenë fiktive dhe të parregullta dhe si pasojë e këtyre veprimeve i është shkaktuar dëm ekonomik shtetit në masën 30.000.000 euro. Gjykata vëren se, edhe në veprimet e kryera nga i pandehuri, në rastin konkret në funksion të blerjes së ish-Hotel Dajtit, mungojnë elementët e figurës së veprës penale për të cilën ai është akuzuar, pasi nuk konstatohet paligjshmëri.

Në veprimet e kryera nga i pandehuri, në rastin konkret në funksion të blerjes së ish-Hotel Dajtit, mungojnë elementët e figurës së veprës penale për të cilën ai është akuzuar, konkretisht mungon dëmtimi i interesave të shtetit (pasoja)”, thuhet në vendim. Që të ndodhemi përpara veprës penale të shpërdorimit të detyrës – arsyeton gjykata – duhet të ekzistojë lidhja shkakësore e drejtpërdrejtë mes veprimit apo mosveprimit të të pandehurit dhe ardhjes së pasojës kriminale, pra nxjerrjes së një përfitimi material ose jomaterial për vetë të pandehurin ose për dikë tjetër, ose dëmtimi i interesave të shtetit, siç edhe pretendohet në rastin konkret.

“Në çështjen objekt gjykimi, jo vetëm që blerja e ish-Hotel Dajtit nuk mund të cilësohet si veprim i kryer vetëm nga i pandehuri, për sa kohë që miratimi i kësaj blerjeje nuk është bërë nga ana e të pandehurit personalisht, por është realizuar nëpërmjet procesit vendimmarrës të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë me unanimitet të votave nga anëtarët e tij (përgjegjësia është e vendimmarrësit, jo e propozuesit), por as nuk rezulton që nga veprimet apo mosveprimet e të pandehurit të jetë shkaktuar ndonjë dëm. Edhe sikur të merret si i mirëqenë pretendimi i prokurorisë, nuk rezulton se nga këto veprime të të pandehurit i është shkaktuar ndonjë dëm shtetit. Nuk mund të flitet për dëm ndaj shtetit, sepse në rastin konkret, nuk kemi tjetërsim të pronës dhe as pakësim të pasurisë shtetërore. Ndryshe nga ç’pretendon organi i akuzës, edhe sasia e parave prej 30.000.000 eurosh, e dhënë në formën e çmimit për blerjen e ish-Hotel Dajtit, nuk mund të konsiderohen si dëm, pasi ato në finale janë asete monetare së bashku me objektin aset si pasuri e paluajtshme në pronësi të shtetit. Objekti ishte në pronësi të shtetit dhe u ble nga Banka e Shqipërisë, që ka aksioner të vetëm shtetin”, përfundon arsyetimin gjykatësi Gjermeni.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: