Pas urdhrit të SPAK dhe firmosjes nga GJKKO te 32 urdhër-arresteve në 4 qytete të vendit, Tiranë, Durrës, Lezhë dhe Elbasan ka nisur një operacion ku është përfshirë policia e shtetit, RENA, FNSH dhe shumë struktura të tjera. Në prangat e policisë kanë rënë 18 persona, por emrat e njohur të botës së krimit nuk janë vënë ende në pranga. Kreu i SPAK nuk dha detaje në lidhje me personat “VIP” të krimit në vend, të cilët nuk janë arrestuar.

Ndërkohë burimet hetimore flasin për emra të njohur të botes së krimit në listën e urdhërarresteve. Kreu i SPAK mohoi se operacioni “Plumbi i artë” është dekonspiruar
Më pas Kraja deklaroi se hetimet identifikuan 8 grupe të strukturuara kriminale që siç tha kishin kryer krime të rënda dhe kishin karakteristikë dhunën e egër me pasoja shumë të rënda.

Ndër emrat e arrestuar në kuadër të operacionit “Golden Bullet-Plumbi i artë”, janë 2 të penduarit Nuredin Dumani dhe Enrik Hoxhaj por dhe shefi i Krimeve në Policinë e Lezhës, Leonard Palushi. Ai akuzohet për shpërdorim detyre pasi nga përgjimet e kryera del si i lidhur me grupin e Erion Alibej, i cili akuzohet se kishte porositur dhe organizuar dy atentatet ku mbetën të vdekur Emiljano Ramazani dhe Regis Runaj si dhe për përfshirje në vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës.

Policia dhe SPAK garantuan se do t’i shkojnë deri në fund këtij operacioni, për të vënë në pranga gjithë të dyshuarit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb