Gazetarja Klodiana Lala duke folur në emisionin “Kjo Javë” në News24 lidhur me Matrix, që është çkoduar së fundmi nga autoritetet ndërkombëtare, tha se ky aplikacion është shumë më kompleks se aplikacionet Encrochat dhe Sky ECC.

Lala tha se janë dashur plot 3 vjet për për ta zbërthyer ‘Matrix” dhe nga përgjimi i 3 muajve të fundit janë evidentuar 2.3 mln mesazhe.

Gazetarja u shpreh se jo të gjithë ata që kanë përdorur aplikacionin Matrix do të thotë se kanë kryer veprimtari kriminale.

“Kam pyetur Europol dhe më kanë konfirmuar që shqipja është një nga 33 gjuhët e përdorura. Së pari do të ndahen mesazhet sipas gjuhëve, më pas do të shihet përmbajtja e tyre. Faza e tretë është dërgimi me letër porosi, pra Shqipëria kërkon të dhëna, për komunikimet.

I dyshuari për një seri krimesh Nuredin Dumani, i cili është kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë, ka përmendur për herë të parë këtë aplikacionin Matrix dhe ka pasur komunikime me Suel Çelën.

Besoj se personi i parë që do të kërkohen të dhëna janë ato të Dumanit, çfarë përmbajnë komunikimet, a përputhen me Matrix, a i ka rrëfyer të gjitha krimet?”, tha Lala.

Ajo theksoi se momentalisht nuk jemi në gjendje të kuptojmë se si është përdorur ky aplikacion, apo si janë regjistruar personat që e kanë përdorur, me emrin e tyre apo me emra të tjerë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb