Në fshatin Vrellë të Komunës së Istogut po zhvillohen gërmime arkeologjike në një prej vendbanimeve më të vjetra parahistorike në Kosovë – vendi neolitik i Llugës. Këto gërmime po kryhen nga Instituti Arkeologjik i Kosovës në bashkëpunim me Universitetin e Miçiganit nga Shtetet e Bashkuara, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ky bashkëpunim ndërkombëtar po zbulon dëshmi të jetës së organizuar që ekzistonte në këtë zonë rreth 7,000 vjet më parë. Ministri i Kulturës në detyrë, Hajrulla Çeku, tha se Lluga është një nga vendbanimet më të vjetra në Kosovë, ku janë zbuluar shtëpi të ndërtuara me baltë dhe dru, që dëshmojnë për një shoqëri të zhvilluar në periudhën neolitike. Një nga gjetjet më interesante në këtë lokalitet është edhe punishtja për krijimin e veglave nga stralli, si dhe figurinat e hyjneshave, që tregojnë për zhvillimin shpirtëror, artistik dhe shoqëror të asaj kohe.

Ministri Çeku theksoi se ky projekt nuk është vetëm një ekspeditë shkencore, por një përpjekje për të zbuluar dhe kuptuar rrënjët e qytetërimit në Kosovë dhe për të lidhur brezat e sotëm me trashëgiminë e lashtë të vendit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: