Nga: MOIKOM ZEQO
Libri i Richmond Lattimore “Themes in Greek and Latin epitaphs”, botuar nga Universiteti i Illinois në SHBA në 1962 ka disa epigrama përkujtimore të viseve ilire, sidomos në Dalmati, Solona, ishulli Apsarus (po në Dalmati), në Delminikum (kryeqyteti i ilirëve dalmatë), si dhe në Dyrrahium.
Në faqen 289 të librit autori boton edhe një poezi epigramatike në latinisht të varrit përkujtimor të një iliri nga “brigjet e Panonisë”.
Epigrama i takon si kohë shekullit II të erës sonë, në periudhën e perandorit romak, që ishte i famshëm për kulturën e diturinë Adrianit, që sipas Marin Barletit ka pasur një statujë kolosale prej bronzi deri në fillimin e shekullit XVI në portën veriore të qytetit të Durrësit.
Poezia në hekzametër ka gjithsej 15 vargje dhe është e shqipëruar nga unë si më poshtë:

Unë jam burri i famshëm nga brigjet e Panonisë
mes qindra burrave të fortë të Batavisë
dikur me Adrianin perandor të madh
isha më i zoti me armët të çaja
Danubin e thellë e të turbullt.
Unë hidhja shigjetën
e me një të dytë e ndaja përgjysëm,
asnjë ushtar romak, ose barbar
s’matej dot me mua me shpatën,
asnjë parthian me harkun.
Nën gur i shtrirë ruaj rekordin e bëmave të mia,
do të shihet në të ardhmen
nëse ndonjë tjetër ka fatin
të përsërisë xhestet e mia plot famë.
Po prap jam i vetmi – si i pari i bëmave të tilla.

Poezia është e një rëndësie absolutisht të posaçme shkencore.
Së pari, del qartë se ky hero luftëtar është nga Panonia e jo pa krenari etnike e përmend, qytetin e Batevisë panone e “burrat e fortë” të të njëjtit popull ilir. Së dyti, ai ka qenë një kampion i notimit në ujë bashkë me armatimin dhe më i paarritshëm nga kohëtarët në përdorimin e shpatës e harkut, madje ai mund të copëtonte në dysh me një shigjetë të dytë shigjetën e parë me një shpejtësi të pabesueshme. Së treti, nuk përdor më këtë mbishkrim varror formulat romake, as hyjnitë romake siç është rregulli për kohën. Së katërti, poezia vë në dukje gjestet e bëmat me një krenari, që nuk kanë të bëjnë fare me pikëllimin e trishtimin ekzistencial të vdekjes që shpërbën gjithçka.
Është tepër interesante, që dijetari Richmond Lattimore, që na e bën të njohur këtë poezi, shënon një vërejtje shkencore, duke thënë, se kjo poezi e ndryshme nga poezitë e zakonshme funerore të kohës shpreh personalitetin e fortë të heroit dhe thelbi i poezisë është egoizmi legjendar i tij që të kujton heronjtë e eposit më të vjetër poetik europian, që njihet me emrin “Beowul” e shekullit të X, mbas poezisë së antikës klasike.
Kjo vërejtje e klasit të parë na bën të arsyetojmë, se te kjo poezi e ilirit panon, që për fat të keq nuk i është ruajtur emri, i shekullit II të erës sonë kemi gjenezën e parë në Europë e në Ballkan të fillimit të epikës legjendare mesjetare, shumë më përpara “Nibelungeve”, ose “Këngës së Rolandit”.
Jo rastësisht një iliri i takon nisma, shpalosja e një gjinie të tillë orale e legjendare, që tek shqiptarët, pasardhësit e Ilirëve ka plazmuar kryeveprën e Eposit të Veriut.

2. Një poezi e Pal Jovit për Gjergj Kastriot Skënderbeun
Në librin “Vite brevemente sceritte d’huomini illustri di guerra antici e moderni…” botuar në Pascia, në MCLIIII, dmth., në vitin 1554 nga Pauli Giovio, në faqen 135 është edhe një sonet kushtuar në italishten e kohës heroit shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Kjo poezi është fare e panjohur dhe nuk e ka përmendur askush deri më sot koleksionin antologjik të poezive në shekuj, që shumë personalitete europiane i kanë kushtuar kryetrimit tonë të paharruar.
Po botoj për herë të parë në shqipërimin tim poezinë e Pal Jovit, një nga figurat më të mëdha e të spikatura të kulturës italiane të shekullit XVI.

GJERGJ KASTRIOTIT
Brenda varrit tënd o Gjergj krejt u mbyll
shkatërrimi i turqve, po dhe mbrojtja e Epirit.
Po kockat e tua të shenjta pa asnjë marrëkuptim
në shumë vende u shpërndanë e depërtuan kudo.

Se gjymtyrët e tua heroike dot varri s’i mbajti,
ta përdhunuan e hapën varrin armiqtë e tu,
menduan se të ç’bënë – por si emri yt i madh
u ndez Lavdia, që u përhap e u shpërnda në botë.

Sepse duke e lënë këtë botë papritur
trupi yt ra pre e armiqve krejt të egër
që të merrnin hak – po u hakmore ti!

Sepse virtytin që e ruan e ta jep varri
të tjerët ta hoqën – por kjo gjë e pazakontë
midis të gjallëve të dha më shumë nder e lavdi!

Kjo poezi shumë e bukur, e botuar në 1554 (kur Buzuku kish bërë gati për botim librin e tij) ka mundësi të jetë shkruar nga autori më herët.
Bjen në sy se Pol Jovi në motivin e zhvarrosjes është mbështetur te libri i Marin Barletit, pra poezia është frymëzim barletian. Është interesante që Ismail Kadareja ka botuar poezinë e tij baladike me motivin e zhvarrimit në shekullin tonë, afërsisht me të njëjtën ide por me stil të ndryshëm.
Poezia, soneti i Jovit, mbi Skënderbenë është një poezi antologjike krejtësisht e denjë krahas arritjeve më të mira botërore në këtë hulli mbi heroin tonë të paharruar në shekuj, që ka edukuar me qëndrueshmëri e krenari gjeneratat e shqiptarëve.

3. Poezia popullore shqiptare që këndonte Bajroni
Qe e papritur për mua, kur lexova librin e Paul Westit “Lord Byron’s Doctor” botuar në Londër në 1989 të gjeja befas dëshminë e një kënge të tretë popullore shqiptare, krahas dy këngëve të tilla, që janë botuar nga vetë Bajroni në gjuhën shqipe – rast ky i rrallë në Europë për shqiptarët, që një nga poetët më të mëdhenj të të gjitha kohërave Xhorxh Bajroni, të bëhet edhe mbledhës folklori për shqiptarët e madje të mrekullohet nga këngët lirike popullore shqiptare.
Libri në fjalë është shkruar nga doktori personal i Bajronit e përmbledh kujtimet e përjetuara direkt.
Në faqen 60 të librit autori thotë se e ka dëgjuar shpesh të këndonte me zë të lartë Bajronin poezinë popullore në gjuhën shqipe, sipas tekstit të mëposhtëm:
Bo, bo, bo, bo, bo, bo,
Naciarura popuso
Naciarura na civin
Hapen derini ti hin.

Kuptohet që duke mos ditur gjuhën shqipe, autori e bën regjistrimin e këngës në përafërsi.
Kënga e transkriptuar nga unë është kështu:

Bo, bo, bo, bo, bo, bo
Nashti erdha po pusho
Nashti erdha nashti vij
Hape derën që të hyj.

Kuptohet se është poezi popullore erotike e Labërisë – forma “nashti” për “tani” dhe “hij” për “hyj” na sugjerojnë faktin se Bajroni këtë këngë do ta ketë dëgjuar për herë të parë kur ka shkuar në Tepelenë, ose e ka dëgjuar nga shoqëruesit shqiptarë që i dha Ali Pashë Tepelena.
Mjeku i Bajronit thotë edhe dy hollësira kuptimplote, se Bajroni jo vetëm e recitonte po edhe e këndonte, pra, i thoshte vargjet sipas melodisë popullore shqiptare dhe se, Bajroni qe krenar e mburrej ta thoshte këtë këngë në mjedise shkrimtarësh e intelektualësh tepër të lartë, ku u tregonte për udhëtimin e tij të paharruar në Shqipëri, që e ka përjetësuar në “Çajlld Haroldin” e tij, vepra më e shkëlqyer europiane, që i ngre lart shqiptarët.
Ah, kur do të lindë përsëri një Bajron i dytë në Europë, ose botë për ne shqiptarët!
Dalim këtu në një problem tejet delikat – si vallë në kohën e sotme shqiptarët nuk miqësohen me shkrimtarët e mëdhenj e artistët e famshëm për botën, që si dikur Faik Konica me Apolinerin, t’i frymëzojnë, t’i bëjnë të njohur me çështjen e kombit shqiptar, për ta popullarizuar kudo këtë komb e tragjedinë e tij të lemeritshme, por edhe shpresën e pashlyeshme për një të ardhme dinjitoze?
Kështu, Zhan Pol Sartri e bëri të njohur problemin kombëtar të baskëve, më shumë se vetë baskët shpeshherë, duke sensibilizuar opinionin publik botëror.
Po ne shqiptarët pse nuk nxjerrim mësime nga këto shembuj?
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: