Një kuzhinier kanadez ka furnizuar të rinjtë në Britani me një helm vdekjeprurës për t’u mundësuar që të vrasin veten. Zbulimi tronditës është bërë nga The Times. Kenneth Law ka dy vjet që ua dërgon substancën njerëzve vulnerabël anembanë botës nga një zyrë postare pranë Torontos. Deri në shtatë vdekje, përfshirë katër në Mbretërinë e Bashkuar, janë të lidhura me helmin, që ende nuk është emërtuar. Mësohet se ai e shiti helmin në një faqe interneti të maskuar për të mashtruar autoritetet për qëllimin e tij të vërtetë.

Law i tha një gazetari që paraqitej si një blerës vetëvrasës, ndërsa iu mburrej njerëzve se ai po bënte “punën e Zotit”. Ai gjithashtu pretendoi se e kishte dërguar produktin te “qindra” njerëz në MB. Substanca, e cila ka shkaktuar të paktën 70 vdekje në MB dhe Evropë, është e ligjshme për t’u shitur – dhe ka përdorime të tjera, ndërsa mjekët kanë ngritur shqetësime për disponueshmërinë e saj në mënyrë të përsëritur. Ndihma për vetëvrasje është e paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanada dhe dënohet me deri në 14 vjet burg në të dy vendet.

David Parfett, nga Maidenhead, babai i Tom, një 22-vjeçari që vrau veten pasi bleu helmin nga kompania e Law, tha: “Unë mendoj se ai është njeriu që i dha në mënyrë efektive një armë të mbushur djalit tim. Besoj se djali im do të ishte ende gjallë nëse nuk do të ishte ky njeri dhe kjo substancë.”. Një klient tjetër ishte Anthony Jones, 17 vjeç, një amerikan që e mori atë dhe më pas vrapoi te nëna e tij duke bërtitur: “Dua të jetoj”, por që vdiq pak më vonë.The Times zbuloi se mjekët dhe policia në Mbretërinë e Bashkuar kanë kontaktuar Law në lidhje me përdorimin e helmit të tij, por ai kishte vazhduar ta shiste atë.

Kur u përball me një gazetar në një qendër tregtare në periferi të Torontos, ku po dorëzonte një sërë pakosh, Law tha: “Unë nuk po ndihmoj asgjë, po shes një produkt”. Por babai i Parfett tha: “Mendoj se ai po luan Zotin. Ai me vetëdije po furnizon njerëzit me një substancë që t’u marrë atyre jetën dhe fiton një lloj kënaqësie të çoroditur.”. Në Mbretërinë e Bashkuar Parfett, si dhe Michael Dunham, 38, Neha Raju, 23, dhe një studente 21-vjeçare që i bëhet e ditur identiteti, kanë vdekur të gjithë në 18 muajt e fundit pasi blenë nga kompania e Law.
Lidhjet e tyre me të u bashkuan përmes intervistave, dosjeve të hetimeve dhe raporteve të policisë.

Pasi një gazetar i fshehtë i dërgoi email Law, ai organizoi një kohë për një “konsultim” dhe për të folur për substancën. Gjatë telefonatës 28-minutëshe, Law tha se britanikët ishin disa nga “blerësit e tij më të shpeshtë”. I pyetur se sa nga Britania e Madhe e kishte kërkuar helmin, ai tha: “Qindra. Dhe të gjithë e kanë marrë. Ne kemi pasur shumë, shumë klientë në Mbretërinë e Bashkuar që e kanë blerë atë.”. Law, një ish inxhinier i hapësirës ajrore, ka shumë kualifikime sipas CV-së së tij në internet dhe në 2004 kaloi gjashtë muaj në Coventry duke punuar në ekipin e programit Boeing 7E7 për Dunlop Standard Aerospace.

Po ashtu mësohet se personi më i vjetër që thuhet se ka vdekur ishte 38 vjeç, më i riu ishte 17 vjeç. Ndaj biznesit të personit në fjalë nuk u ngrit asnjë kallëzim penal, pasi u konstatua se pronarët besonin se po ua shisnin njerëzve për arsye legjitime. Një zëdhënës i qeverisë tha: “Ne po punojmë shumë për të reduktuar numrin e vetëvrasjeve dhe do të publikojmë një strategji të re kombëtare për parandalimin e këtij fenomeni”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb