Greqia është shndërruar në një parajsë fiskale për zyrtarët e korruptuar të Shqipërisë. Lajmi konfirmohet nga Ministria greke e Financave. Hetimet e agjencive greke të Inteligjencës financiare kanë zbuluar se, në bankat greke janë depozituar miliona euro nga individë shqiptarë, të cilët nuk janë emigrantë atje, por zyrtarë të administratën publike në Shqipëri, ose ish-punonjës të saj.

Nga hetimet ka rezultuar se, këta individë depozitojnë “cash” shuma që variojnë nga 10 deri në 500 mijë euro, ndërkohë që në shumë raste përdorin kasafortat e bankave, për të depozituar aty sende me vlerë.
Fluksi i miliona eurove nga Shqipëria drejt Greqisë ka vënë në lëvizje qeveritë e të dyja vendeve. Burime nga Ministria greke e Financave thonë se, brenda vitit të ardhshëm, Greqia dhe Shqipëria do të nënshkruajnë një marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave kundër evazionit fiskal dhe pastrimit të parave.

Ministri grek i Financave, Euclid Tsakalotos firmosi në Athinë një marrëveshje shumëpalëshe për shkëmbimin e informacioneve financiare me 60 vende, përfshirë edhe Shqipërinë. Por, që shkëmbimi i të dhënave mes Greqisë dhe Shqipërisë të hyjë në fuqi, duhet nënshkruar edhe një marrëveshje dypalëshe.
Sipas burimeve nga Ministria greke e Financave, kjo çështje pritet të diskutohet në takimin e dy ministrave të Jashtëm, Bushati dhe Kotzias, që do të mbahet në muajin nëntor, për t’i hapur më pas rrugën firmosjes zyrtare të marrëveshjes vitin e ardhshëm.

Nënshkrimi i marrëveshjes nënkupton se autoritetet do të shkëmbejnë informacione, jo vetëm për transferta, apo gjendjen fiskale të bizneseve dhe individëve që kanë aktivitet në të dyja vendet, por edhe mbi depozitat e tyre në bankat e vendeve respektive./TCH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb