Dhënia e shpejtë e një huaje prej 140 mijë paundësh nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Ceno Klosi, për shoqëri biznesi përmes 4 transaksioneve në shkurtin e 2019 ngre dyshime të forta mbi skemën e përdorur.

Sipas të dhënave të deklaruara nga drejtori i përgjithshëm i Tatimeve në ILDKP vitin që shkoi, mekanizmi i huadhënies nga kursimet familjare është aktivizuar më 2 prill të 2019, ku është dhënë një borxh prej 10 mije paundësh.

Katër ditë më parë në 28 janar të 2019 Ceno Klosi duke paguar 100 paund është bërë aksioner themelues me 33% në një biznes në Angli, që nga emri “First bar limited” në Blackwood Close, West Byfleet, i cili është një bar në një zone luksoze në Londër, ku çmimet e apartamenteve janë mbi 1 milion paund.

Pas huas së parë fajdet kanë vijuar seri në pak ditë, në 14 shkurt të 2019 janë dhënë borxh 20 mijë paund, më 20 shkurt të 2019 Ceno Klosi ka dhënë 50 mijë paund, dhe në 26 shkurt të po atij viti është regjistruar një hua prej 60 mijë paundësh të tjerë. Nuk dihet nëse fajdet janë dhënë për një apo disa kompani, dhe nëse ato janë vendase apo të huaja, pasi për shkak konfidencialiteti emri është fshirë në deklaratë.

Por vetë procedura e huadhënies është mjaft delikate dhe shpesh herë në kufijtë e ligjshmërisë. Kodi Penal shqiptar e ka përcaktuar qartë se kur dhënia e fajdeve përbën krim te dënueshëm.

Neni 170/ç i kodit penal parashikon se “Ushtrimi i një ose disa veprimtarive financiare të ndryshme nga veprimtaria bankare, nga persona që nuk janë të licencuar për këtë qëllim, sipas legjislacionit bankar dhe/ose financiar në fuqi, dënohet me gjobë ose burgim gjer në tre vjet”.

Po kjo vepër, kur i ka shkaktuar pasoja të rënda interesave shtetërorë ose atyre të shtetasve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Duhet që autoritetet të përcaktojnë nëse huat e drejtorit të përgjithshëm të Tatimeve janë brenda normave të kodit civil, apo nëse kalojnë në fushën e veprimtarive të paligjshme.

Gjithsesi dy vite pasi Ceno Klosi ka dhënë 140 mijë me fajde, ende nuk ka deklaruar kthimin e tyre. Ajo që është e sigurt, është se në Qershor të 2021 drejtori i përgjithshëm i tatimeve ka në llogari bankare mbi 48 mijë paund të tjerë llogari bankare të siguruara nga kursimet familjare. Listës i shtohen dhe llogari bankarë prej gati 30 mijë eurosh po nga kursimet familjare, tre apartamente në kryeqytet me vlerë 550 mijë euro, 100 mijë euro llogari bankare e bashkëshortja që ashtu si i shoqi ka arritur t’i kursejë nga familja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb