TIRANË- Pak kohë pas dorëheqjes së Elisa Spiropalit si drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave, edhe numri dy i institucionit ka dhënë dorëheqjen. Bëhet fjalë për zëvendësdrejtoren Blerta Kraja, e cila vetëm pak ditë më parë është larguar.

Duket si një tërheqje normale nga një funksion në administratë deri në momentin kur gazeta “Panorama” zbuloi e-­mailin përshëndetës të Krajës dërguar stafit të saj. Një e­mail jo i zakonshëm, pa barrierat formale që imponon institucioni dhe pozicioni me mesazhe të forta mbi jetën dhe mbi një përjetim goditës të një ngjarjeje tragjike që e ka shtyrë të marrë këtë vendim.

Kraja përmend në e­mail vetëvrasjen e një kolegu doganier, akt i cili e ka bërë të vlerësojë më shumë jetën dhe gjërat e vogla të saj ndërkohë përcjell një mesazh për administratën me të cilën ka punuar: që të jenë më solidarë me njëri­tjetrin. Ajo i kujton edhe një herë stafit punën e bërë gjatë bashkëpunimit për gati një vit e gjysmë, si dhe i nxit që në memorie të kenë përjetimin e momenteve më të bukura.

E­-MAIL I PLOTË

Dy fjalë shprese:­)

Hi, të dashur kolegë, Ja, vjen një moment natyrshëm, për të thënë mirupafshim. Falënderoj secilin prej Jush për bashkëpunimin. Kemi kaluar një periudhë të vështirë, për ta dëlirësuar Doganën e modestisht, për ta bërë më njerëzore, më qytetare dhe më të komunikueshme me biznesin. Këto ditë, një koleg i yni, doganier me eksperiencë në Porto­Romano, vrau veten, ngjarje që më goditi. Fenomen ky jo i padëgjuar edhe në doganat homologe. Mbase është momenti që të fillojmë të jemi më solidarë me njëri-­tjetrin dhe t’i harrojmë inatet e vjetra dhe të vockla. Në pamundësi për t’ju takuar secilin, për t’jua shtrënguar dorën e parë në sy, ju lë si kujtim lulet, agrumet, ullinjtë, gjithçka të bukur e me shije që ngritëm së bashku në këtë periudhë. Krejt përzemërsisht, Blerta

REAGIMI

Pas sigurimit të e-­mailit, gazeta komunikoi me ish-zëvendësdrejtoreshën Blerja Kraja, për të mësuar më shumë rreth arsyeve të largimit nga funksioni i saj në administratë. Ajo konfirmoi e-­mailin përshëndetës me stafin dhe tha se nuk ka asgjë për të shtuar. “Thjesht u dorëhoqa për të marrë veten pas një pune shumë të lodhshme dhe për t’iu kthyer profesionit tim si avokate”, u shpreh Kraja. Ajo mbante vendin e zëvendësdrejtores së Doganave që nga tetori i 2013­-ës. Në ngarkim të saj ishin marrëdhëniet me administratën dhe trajnimet e kësaj të fundit.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb