Imagjinoni habinë, përzier me gazin që mund të shkaktojë sot ideja që mund të quhesh imoral, pse jo të bësh edhe burg, sepse të gjejnë në shtëpi një libër që flet për seksin, madje-madje, më pak se kaq, të ketë ndonjë fotografi ose pikturë nudo.

Epo këto gjëra ndodhnin në diktaturë. Madje, ndodhte që vjehrra të të spiunonte, ta tundte librin para hundës së “xhelatëve” e për gjithfarëlloj arsyesh të akuzonte dhëndrin për pornografi. Kjo i ka ndodhur arkitektit, piktorit e shkrimtarit Maks Velo. Nuk kanë kaluar shumë ditë, qëkur Velo mori në duar prej Autoritetit për Informim për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, dosjen që mbante për të ish-Sigurimi i Shtetit.

Edhe pse Velo dinte se kush ishin spiunët apo akuzatorët e tij, ajo çka zbuloi përmes dosjes ishte shumë më tepër. Spiunë brenda familjes, spiunë mes miqve të ngushtë, mes atyre me të cilët ai ndante mendimet e tij për artin. Nga kjo dosje prej 250 faqesh, Velo na vë në dispozicion disa syresh, për të zbuluar përmasat e mekanizmit ndjekës, persekutues, denigrues, frustrues të diktaturës. Ato zbulojnë se si pasiguria futej brenda familjes, se si funksiononte spiunimi, se cilat ishin kallëpet brenda të cilëve duhet të qëndronte njeriu, në të kundërt ishte snob, mendjemadh, imoral, i degjeneruar, i ndikuar nga arti modernist, e shumë e shumë të tjera.

Në këto fletë të mbajtura nga punonjësit Operativë të Sigurimit të Shtetit apo të ofruar nga organet e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ofrohen dy linja, mbi të cilat u ngritën edhe akuzat mbi të cilat u dënua me burgim Maks Velo.

Nga njëra anë, akuza për pornografi nga vjehrra e tij, e cila pretendonte se kishte parë një libër pornografik në shtëpi dhe, nga ana tjetër, akuzat e sekretarit të arteve figurative pranë LSHA, Kujtim Buza, i cili analizon krijimtarinë në arkitekturë, arte figurative dhe teori, të Maks Velos. Por ky i fundit, nuk e mbyll me krijimtarinë, por edhe me karakterin e Velos, si mendjemadh, të pashoqërueshëm, mospërfillës, etj…

Nga dosja e Sigurimit të Shtetit

Sekret
Ekzemplar i vetëm

Tiranë
1/3/1975

SHËNIM OPERATIV
Sot më datën 2/4/1975 në një bisedë të zhvilluar me sh. Kujtim Buzo, midis të tjerave më tha: “Sot në mëngjes më erdhi në shtëpi e shqetësuar vjehrra e Maksim Velos, e cila kërkoi takim duke thënë se jam e shqetësuar, mbasi Maksit i kam gjetur në shtëpi një libër në gjuhën franceze pornografik. Në këtë libër flitet për marrëdhëniet seksuale të mashkullit e femrës”. Unë, tha Kujtimi, e mora këtë libër dhe e lexova pak e pashë se kishte përmbajtje pornografike e degjeneruese. Në këtë libër kishte edhe shënime, gjë që tregon se është marrë nga shumë persona. Sot më datën 2/4/1975 rreth orën 12:00 vjehrra e Maksit do ta sjellë te kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Nga ana ime, iu tha Kujtimit, që ky libër të mbahet dhe do të na dorëzohet ne.

dokumentetttt

Punëtori operativ
(me shkrim dore) Maksi njihet si njeri i shthurur, imoral, por edhe armik. Të merren masa për të drejtuar ndonjë BP për ta përpunuar.

3/4/75

Sekret Ekzemplar i vetëm Tiranë 21/3/1975
SHËNIM OPERATIV
Në bisedën e zhvilluar në datën 20/III/1975 me sh. Kujtim Buzo në lidhje me Maksim Velon më tha: Maksim Velo ka qenë me punë në Komitetin Ekzekutiv dhe për krijimtari të gabuar është çuar në fshat. Vazhdimisht krijimtaria e tij është kritikuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Kohë më parë, ka dashur të bëjë një ekspozitë personale, në të cilën kishte edhe vepra të gabuara, njëra nga të cilat sa më kujtohet mua, ka qenë ajo ku… ishte duke pirë me një kafkë njeriu.

Kjo ishte shtrembërim i realitetit njerëzor. Tendencat e tij kanë qenë për të futur në artin tonë, ekspresionizmin. Ky edhe si njeri është arrogant dhe element shumë negativ. Në mendjen e tij ka shumë teorizime, të cilat i ka shprehur edhe në mbledhje të hapura të Lidhjes, ka arritur deri atje sa piktorët tanë realistë më të mirë si Foto Stamo, Fatmir Haxhiu, etj., t’i mohojë dhe të thotë që këta duhet të lënë artin e tyre se janë vjetruar dhe janë arkaikë. Këta janë njerëz të pazotë, etj., pikëpamjet e tij janë shprehur edhe me shkrim. Ka paraqitur në Lidhjen e Shkrimtarëve mbi “Gdhendësit” popullorë ku ka mjaft gabime ideologjike.

Në një rast më ka ardhur mua në Lidhje dhe së bashku me Petraq Kolevizën, më kërkoi që unë të asistoja në një mbledhje që do të bënte organizata e Partisë dhe kolektivi ku punonte Maksi, rreth krijimtarisë së gabuar të tij se krijimtaria e tij nuk është ashtu si thonë ata dhe, sepse këta nuk marrin vesh nga arti dhe nuk kuptojnë disa gjëra. Unë, thotë Kujtimi, i fola për këtë dhe i thashë që të shpjerë krijimtarinë e tij dhe ta shikojë kolektivi, por nuk e bëri këtë gjë.

Dhe në veshje ky paraqitet shpesh shumë ekstravagant. Është shumë individualist dhe nuk shoqërohet shumë. Për këtë di se para vitit 1960 ky i ka shitur të huajve ikona të mbledhura në kishat, sepse ky është mbledhës i këtyre. Ka pas një farë shoqërie edhe me Ksenofon Dilon, i cili kur ka qenë sekretar për pikturën i ka dhënë edhe televizor. Për këtë them se është një element që në gjithë punën që është bërë, është i pamoralshëm dhe ka koncepte të rrezikshme për artin.

Punëtori operativ
INFORMACION
Sipas kërkesës të punonjësit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme, shokut Besnik Shehu, po informojmë për sa dimë lidhur me sh. Maks Velo ish-anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Me pranimin në Lidhje, gjatë vitit 1970-1971 të një grupi arkitektësh në gji të kësaj organizate, u fut edhe arkitekti Maks Velo. Ai, krahas problemeve që lidheshin me arkitekturën filloi të merrej edhe me skica e vizatime edhe pikturë në vaj. Gjithashtu, duke pretenduar se është njeri me kulturë dhe se merr vesh nga të gjitha fushat, filloi edhe të teorizojë dhe të marrë pjesë në disa diskutime krijuese.

Krijimtaria e Maks Velos përmblidhet në tre drejtime:
1) Në fushën e arkitekturës
2) Në lëmin e arteve figurative
3) Mendimet dhe teorizimet e tij për artin dhe letërsinë, për arkitekturën

Ne si Lidhje e Shkrimtarëve dhe Artistëve, nuk disponojmë asnjë dokument dhe proces-verbal ku të kemi mendimet e tij para Plenumit të 4-të të KQ. Pas Plenumit, kur ne filluam detyrën në Lidhje ai nuk është aktivizuar, bile në vitin 1975 është përjashtuar nga Lidhja për qëndrimin e tij formalist në krijimtari, moral dhe për teorizimet që ai ka bërë, për qëndrimin egoist dhe mendjemadh ndaj shokëve krijues, si përçarës i unitetit të artistëve, si njeri që nuk ka bërë asnjëherë autokritikë për bindjet e tij borgjezo-revizioniste. Nga sa kemi mundur të informohemi, për problemet e mësipërme, shoku Maks Velo, në fushën e arkitekturës ka shfaqje të formalizmit, ka në lartësinë e kateve të ATSH-së, ofiçinat në Kukës dhe Peshkopi projektuar nga Zyra e Urbanistikës e projektimit të Tiranës me anëtar Maks Velon, ndërtesa karshi MAPO-s Nr.1 në Tiranë, etj..

maks-velo-pas-arrestimit

Për këto probleme është kritikuar në Ministrinë e Ndërtimit, në Komitetin Ekzekutiv të KP të Rrethit të Tiranës dhe këtu në Lidhje. Sidoqoftë, për probleme të arkitekturës, më qartë dhe më mirë mund të bisedohet me sh. Sokrat Mosko, i cili ka qenë kryearkitekt i Tiranës. Në fushën e arteve figurative sh. Maks Velo ka krijuar disa punime, një pjesë e të cilave janë ekspozuar në disa ekspozita. Punimet e tij janë paraqitur në Ekspozitën e parë të Pranverës, në vitin 1972, ishin krijime të realizuara me mjete formaliste, ekspresioniste sipas modeleve borgjeze dhe revizioniste.

Peizazhi i paraqitur në këtë ekspozitë krijonte një gjendje tepër shqetësuese përmes koloritit të egër dhe irreal, njollave që ngriheshin nga toka në qiell në formë shtëllungash që të krijonin kaos dhe pasiguri. Për këtë vepër, M. Velo është kritikuar bashkë me E. Gjergon, A. Osekun dhe E. Hiku në Plenumin e Lidhjes të vitit 1973, në frymën e Plenumit të 4-ët të KQ të PPSH-së. Gjithashtu, M. Velo në vitin 1971 është përgatitur për një ekspozitë personale, të cilën e pruri për ta parë në ish-sallat e ekspozitave (sot aneks i Teatrit Popullor). Ajo përmbante rreth 40 punime, mostra të artit modernist të të gjitha formave, izmave dhe rrymave. Veçanërisht të ndikuara nga ekspresionizmi, abstraksionizmi, etj.. Këtë koleksion e kam parë bashkë me sh.

Dhimitraq Trebicka (Drejtor i Galerisë së Arteve) dhe i thamë që ajo është shfaqje e ideologjisë së huaj, janë vepra të realizuara nën ndikimin e rrymave moderniste dhe se Ekspozitë me këto punime nuk mund të hapet. Nuk e dimë se ku bisedoi e me kë bisedoi më tutje. Por fakti është që ajo ekspozitë nuk u hap. Në të, në mes të tjerash, me sa mbaj mend, ka qenë edhe portreti i A. Moisiut duke pirë me kafkën e një të vdekuri – shprehje flagrante e simbolizmit dhe thurjes borgjeze të artit, shprehje e filozofisë idealiste. Në të mbizotëronin ngjyra të errëta të grimcuara me drita violet, verdhë, kuq, etj..

Një vepër tjetër formaliste janë punimet e vendosura në Hotel “Drini” në Tiranë të cilin e projektoi vetë M. Velo. Ato ishin rrahje në bakër, në natyrën primitive, vëllime pa formë dhe vërtetësi, realizuar nën ndikimin e zbukurimeve formaliste të hoteleve dhe restoranteve perëndimore. Këto punime, pas Plenumit të 4-ët të KQ të PPSH janë hequr nga këto ambiente.

Në fushën e artit figurativ çdo gjë, që ai ka realizuar ka vulën e formalizmit, ndikime të artit borgjez dhe revizionist, pasi ai vetëm shfletonte literaturë të tillë dhe kurrë nuk është vënë në kontakt me jetën e njerëzve të cilën vetëm e ka përçmuar, gjymtuar… Vepra e tij shquhet dhe për një diletantizëm banal, mungesë aftësie, të cilën ai donte ta maskonte me eksperimentime dhe manevra të mveshura me vellon e modernes, që aq shumë e propagandonte si snob që është. Në lëmin e teorizimeve dhe mendimit estetik, sa dimë, ai kurrë nuk ka përmendur partishmërinë proletare, tendenciozitetin klasor, karakterin kombëtar, metodën e artit tonë të Realizmit Socialist.

piktori-kujtim-buza

Përkundrazi, ka teorizuar në dëm të tyre duke mbrojtur me zell veprat e E. Gjergo, A. Osekut, etj., ato shfaqje formaliste që janë edhe në artin tonë figurativ, para Plenumit të 4-ët të KQ. Bile për këtë zell që tregonte, kryesia e mëparshme e Lidhjes, në vitin 1971 e futi në komisionet e saj, bile dhe në grupin e punës për përgatitjen e Ekspozitës së Pranverës. Ai në diskutimin e Ekspozitës kushtuar 30vjetorit të Partisë, për veprat e F. Pacit, A. Fajës, A. Lakuriqit, F. Haxhiut etj., i cilësoi punime të tilla që ka ardhur koha të mos vihen më ndër ekspozita. (Ai këto i konsideronte natyraliste, akademike, etj..

Është teoria e F. Paçramit për të denigruar krijimtarinë e pastër dhe militante). Ai tha se: Piktori duhet të bëjë pikturë pa folur se ç’pikturë, nga ç’pozita. Ai kërkonte pikturë si qëllim në vetvete, reflekse të ndjenjave intelektualiste, të artistit të shkëputur nga jeta dhe problemet e Partisë dhe popullit. Duke folur për punimet e F. Haxhiut, F. Pacit, etj. i konsideronte, duke i denigruar, si piktura falso dhe butaforike, të dobëta pa masë dhe që autorët e tyre nuk mund të bëjnë asnjë progres. M. Velo si njeri që mbahej afër nga F. Paçrami dhe shokët e kryesisë së Lidhjes ishin propagandues të idesë që autorët të venë vetë çmimet e punimeve pa marrë parasysh kriteret dhe rregulloren shtetërore, duke inkurajuar kështu fitimin, paranë dhe jo militantizmin krijues.

Kjo gjë, me ndonjë përjashtim, nuk u përkrah nga krijuesit e tjerë. M. Velo shoqërohej vetëm me shokët që kishin funksione e detyra, me E. Gjergon, ndonjë shkrimtar në zë apo regjisor apo dramaturg. Ai i shihte me mospërfillje dhe indiferentizëm të tjerët, në vend që të ndodhte e kundërta.

Edhe sot e kësaj dite ai mban qëndrim shumë të ftohtë. Në ambientet tona, për M. Velon flitet për njeriun e molepsur nga ideologjia borgjezo-revizioniste, një person i padëshirueshëm si qytetar, moralisht për tokë, një njeri që nuk gëzon as edhe një fije respekti.

Sekretari për artet figurative,
Kujtim Buza Tiranë 14.12.1977

Panorama- http://www.panorama.com.al/zbulohen-dokumentet-akuza-e-vjehrres-te-lidhja-e-shkrimtareve-maks-velo-lexon-pornografi/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb