Zbulohen në Krujë 4 ambiente të përshtatura për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave, ndërsa ka  rënë në pranga shtetasi që i kishte në ruajtje ambientet, vëllai i pronarit të ambienteve.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Durrës, në vijim të kontrolleve në ambiente të mbyllura, ku dyshohet se kultivohen bimë narkotike, bazuar dhe në inteligjencën operative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Vijimi”, në kuadër të të cilit u zbuluan 4 ambiente të përshtatura për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave”, njofton policia.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestua në flagrancë shtetasi H. H. (vëllai i pronarit të këtyre ambienteve), pasi kishte në ruajtje ambientet ku kultivoheshin bimë narkotike.

Nga hetimet, rezulton se ky shtetas, në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë, autorë të dyshuar të kultivmit të bimëve narkotike me anë të llambave, në 2 ambientet e zbuluara si rezultat i operacionit “Derveni”, të zhvilluar 2 ditë më parë, kanë përshtatur edhe këto 4 ambiente, për të njëjtën veprimtari kriminale.

Vijon puna intensive për kapjen e 3 personave të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: