Pas fitimit të lirisë teksa regjimit komunist po i vinte fundi, për një ish të burgosur politik ajo që kishte më shumë interes ishte se çfarë partie do të ishte ajo që do të sillte demokracinë në vend. Kurt Kola rrëfen në librin e tij “Tranzicioni neokomunist në Shqipëri”, botim i “UET Press” takimet e para me Sali Berishën dhe Gramoz Pashkon, sapo kishte dalë nga burgu.

Biseda me ish kryetarin e PD-së ishte një zhgënjim i vërtetë, teksa që në nisje të saj, ai u vendosi një limit kohe prej 15 minutash për shkak se kishte një takim me pasardhësin e Enverit, Ramiz Alinë. E njëjta gjë ndodhi edhe me Pashkon, zhgënjimi u duk, pasi mori një përgjigje që nuk e priste nga nga profesori i ekonomisë nëse regjimi i Hoxhës do të konsiderohej genocid. “Dua t’ju falënderoj për sinqeritetin me të cilin më konfirmuat atë që z. Berisha ma tha përgjysmë, se ndryshimin e sistemit po e bën vetë diktatori Ramiz Alia me Sigurimin e Shtetit, dhe ju jeni të zgjedhurit që do ju dorëzojë pushtetin”, ishin mbyllja e bisedës mes një armiku të regjimit komunist si Kurt Kola që kishte kaluar një pjesë të mirë të jetës së tij nëpër burgje dhe Gramoz Pashkos, një ndër themeluesve të partisë që do të rrëzonte regjimin komunist.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

TAKIMET ME BERISHEN E PASHKON
Me 10 janar 1991 dola nga burgu, ku më 28 tetor 1990 më pati dënuar Gjykata e Elbasanit për të katërtën herë me 10 vjet burg për agjitacion e propogandë. Me 13 janar, tre ditë pas daljes nga burgu, shkova në Tiranë për të takuar drejtuesit e opozitës së sapokrijuar. Po atë ditë, në Tiranë ishte kryeministri grek Kosta Micotaqi. Vizitat tona përkonin krejt rastësisht. Kryeministri grek thyente akullin e një gjysmë shekulli të ngrirë mes dy vendeve fqinj. Unë, qytetari shqiptar, vija për herë të pare i lirë në kryeqytetin tim.

Micotaqi takonte udhëheqësit komunistë, unë udhëheqësit e opozitës së sapokrijuar. Të dy vinim nga vende armike të regjimit komunist: ai nga Greqia imperialiste, unë nga burgu i armiqve të komunizmit, galeria e Burrelit. Micotaqi drejtonte të djathtën greke, unë i përkisja së djathtës shqiptare, të luftuar nga e majta komuniste. Përkime rastësore, por që nuk i shpëtojnë vëmendjes së politikanit në kapërcyellin e ndërrimit, nga një sistem monist në një sistem pluralist.

Meqë nuk e njihja Tiranën, në stacionin e trenit, që ishte i vetmi mjet udhëtimi në komunizëm, më pritën dy të burgosur politikë, Thoma Bejo dhe Shpëtim Stërmasi, të liruar disa muaj para meje. i shoqëruar prej tyre, mbërritëm te shtëpia e Berishës, e cila atë kohë shërbente si rezidencë pritjeje. Salloni ishte zbrazur nga çdo orendi, gjendej veç një tavolinë e një karrige, ku qe ulur vetë Berisha. Ishte një pritje e ftohtë dhe gati e bezdisshme për Berishën, i cili pa lëvizur nga vendi e pa na pyetur për shëndetin thjesht për hir të traditës, tha:
– Zoti Kola, siç më shihni, jam duke nxituar, pasi kam takim me shokun Ramiz Alia, ndaj ju lutem po ju rezervoj vetëm pesëmbëdhjetë minuta kohë duke bërë tolerim, meqë vini nga burgu politik.
– Zoti Berisha, na falni! Nuk e dinim dhe nuk e kuptojmë impenjimin e kryetarit të opozitës, që kërkon të rrëzojë nga pushteti diktatorin për t’i zënë vendin, dhe njëherësh bën takime me të. Tani që ju na e paraqitni si detyrë imediate, pesëmbëdhjetë minutat e rezervuara po i reduktoj në pesë minuta të cilat u konsumuan, dhe po ju lëmë të lirë të shkoni te diktatori, – iu përgjigja duke ftuar shoqëruesit të largoheshim.

Ai, sërish nuk lëvizi, mori shkresën që kishte nisur të shkruante nga sirtari duke e fshehur nga ne, dhe me kaq e lamë në misionin e tij sekret… Gjatë rrugës për te Gramoz Pashko patëm kohë të diskutonim, sigurisht në mënyra të ndryshme, keqpritjen nga Sali Berisha. Thomai, një i ri krejt i sinqertë, thuajse i pafajshëm, që edhe burgu politik i Burrelit nuk ia kishte ndryshuar formimin e tij, e hapi bisedën duke i qarë hallin Berishës:
– Gjynah, më vjen keq për Berishën! Aq punë ka e aq shumë lodhet, sa nuk ka kohë të bisedojë me tre të burgosur politikë.
– Tomi! – e ndërpreva, (kështu e quanim shkurt).
-Seriozisht më vjen keq për ty, se ke bërë tetë vjet burg.
– Përse për mua, kur vetë ke rënë në burg shumë më i ri se unë dhe ke bërë trefishin tim? – ma ktheu po me atë sinqeritet fëminor që e karakterizonte.
– Po Tomi, më vjen keq se ke mbetur i pafajshëm, ke mbetur siç ke hyrë, pa mësuar asgjë nga dyfytyrësia e politikanëve servilë, – e sqarova.
– Kam qëndruar me intelektualë të formuar në Perëndim, nuk jam shoqëruar me këta lindorët, – u justifikua ai.
– Nuk është aq determinuese se më kë qëndron, por nevoja për të kuptuar sa më shumë gjëra të fshehura te njerëzit. Ne ishim ndarë me ish-ministrat e gjeneralët e komunizmit në burg, por në mënyra të ndryshme përpiqeshim të zbulonim karakterin e tyre të dyzuara. Të gjithë ishin të ndërgjegjshëm se i kishte dënuar diktatori Hoxha, por nga frika, servilizmi, akuzonin Mehmet Shehun se i kishte burgosur. E vrau diktatori dhe M. Shehun, “armikun” e tyre. Përsëri nuk guxonin të thoshin të vërtetën, por gjenin lloj-lloj justifikimesh.

I thashë këto për të qartësuar atë çka mësova në pesë minuta nga Sali Berisha, që ti me sinqeritetin e një fëmije, i qave hallin. Në shprehjen e tij zbulova realitetin e ndryshimit të sistemit, të cilin po e realizonte R. Alia. Dhe, Berisha ishte i ngarkuar nga diktatori Alia. Për mua, ato pesë minuta më shërbyen për të kuptuar gjithë sekretin. Ndërkohë, arritëm te shtëpia e G. Pashkos. E gjetëm duke shkruar në kompjuter, fillikat. Edhe ai nuk luajti fare nga vendi. Siç duket, te komunistët tradita e mikpritjes shqiptare ishte tkurrur brenda klasës së tyre.

Qe një prerje me Berishën. Ende pa u ulur, sapo bëmë prezantimin, mori qëndrim autoritar dhe na lajmëroi: Po ju vë në dijeni, se të gjitha aparaturat elektronike që shikoni përqark janë me incizim, të lidhura direkt me sallën e operacionit të Sigurimit në Ministrinë e Brendshme. Çdo fjalë që flitet këtu, dëgjohet e regjistrohet atje. Thomai, teksa dëgjonte kumtesën autoritare me ton të lartë të Pashkos, u bë limon në fytyrë, a thua se Pashko i komunikoi arrestimin si armik në emër të popullit.
– Zoti Pashko, u prezantuam si ish-të burgosur të porsadalë nga Burreli, ku kemi lënë dyshekët për t’u rikthyer me lirinë e ndërgjegjes sonë, në atë moment që nuk gjejmë hapësirë lirie në shoqërinë e politizuar shqiptare, pa e vrarë mendjen për Sigurimin famëkeq që na përmende. Kundërpërgjigjia ime çarmatosi Pashkon dhe inkurajoi Thomanë, i cili largoi panikun e u kthye në pamjen normale.

I dhashë një letër që ia dërgonte S. Ngjela, dhe i thashë:
– Zoti Ngjela më ka folur shpesh me konsideratë për aftësitë tuaja si njohës i ekonomisë së tregut të lirë dhe gjuhës angleze që e zotëroni në mënyrë perfekte.
– Bëri buzën në gaz e nuk foli.
– Zoti Pashko, me sa kam dëgjuar nga dy miqtë e mi që më shoqërojnë, ju jeni ngarkuar të bëni programin ekonomiko-politik të PD-së; nëse nuk ju kërcënon incizimi, mund t’ju bëj ndonjë pyetje?
– Sigurisht, z. Kola, ju mund të bëni shumë pyetje, por unë do t’u përgjigjem atyre që dua unë, – tha pasi u mendua ca.
– Z. Pashko, në ç’spektër politik e radhisni partinë tuaj?
Nga emërtimi “Partia Demokratike”, më shumë i afrohet qendrës së majtë. Kështu më duket mua, se jeni trembur nga një emër që e largon nga origjina.
– Mbase në dukje ashtu ngjan zoti Kola, por gjithçka do të përcaktohet nga programi ekonomik dhe reformat politike.
– Atë doja të thoja, por më lehtësuat duke e theksuar vetë ju dhe po vazhdoj me pyetje: Në demokracinë amerikane që është kulmi i demokracisë botërore, Partia Demokratike i përket spektrit të majtë; kjo e juaja në ç’raport do të jetë me të?
– Partia jonë do të jetë në raport me Partinë Republikane.
– Ky raport, ju detyron të kryeni reforma të thella politiko-ekonomike, z. Pashko, do t’i zbatoni? Komunizmi ka konfiskuar tërë pronën private të shqiptarëve, do t’ua ktheni?

– Sigurisht, do t’ua kthejmë aty ku është e lirë, dhe aty ku është e zënë do t’u kompensohet ose dëmshpërblehet.
– Dikatatori E. Hoxha dhe Byroja Politike e PPSH kanë bërë genocid mbi popullsinë, do e dënoni për genocide diktatorin e vdekur dhe byroistët që janë gjallë?
– Z. Kola, ne jemi parti politike, nuk jemi prokurori e gjykatë.
– Ju kuptoj dhe duke u larguar dua t’ju falënderoj për sinqeritetin me të cilin më konfirmuat atë që z. Berisha ma tha përgjysmë, se ndryshimin e sistemit po e bën vetë diktatori Ramiz Alia me Sigurimin e Shtetit, dhe ju jeni të zgjedhurit që do ju dorëzojë pushtetin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb