TIRANE – Është përmendur shpesh në faqet e shtypit për historitë e tij të dashurisë, të cilat janë të shumta dhe që e bëjnë Mit’hat Frashërin, një prej personazheve më të veçantë të kohës kur jetoi. Edhe pse i pamartuar kurrë, në jetën e tij kanë qenë të shumta gratë që kanë hyrë e kanë dalë, duke lënë pas edhe gjurmë, të cilat i ndeshim sot në një mënyrë a tjetër. Janë të pafundme letrat e shkëmbyera mes Mit’hat Frashërit dhe vajzave e grave, shqiptare apo të huaja, me të cilat ai kishte ndërtuar një marrëdhënie.
Një pjesë e mirë e tyre të deshifruara dhe të publikuara, të tjera ende me një hije mjegulle mbi krye dhe të pazbuluara më parë. Këtë herë po sjellim për lexuesin, pjesë nga letërkëmbimi i Mit’hat Frashërit me një grua të panjohur (shkëputur nga fondi personal i tij në Arkivin e Shtetit, nr. 35, Dosja 135). Mund të aludojmë se kjo grua ka qenë një prej të dashurave të Frashërit, ose, të paktën, një njeri shumë i afërt, e cila i shkruante atij në mënyrë intime.
“Jam shumë e dëshpëruar pasi deri sot nuk keni marr as nji letër. Kjo është një gjë që më dëshpëron shumë, pse nuk ka ndodhur kur të mos mar letër kaq koh nga juve”, i shkruan ajo në një nga letrat e saj patriotit, të cilin e quan Mithatko ose Mithatxhan. Ndërsa në një tjetër letër, gruaja i lutet që të vijë ta vizitojë dhe të rrinë bashkë sikur edhe një natë, e kur të vijë t’i sjellë korse me sytjen grash! Ajo i flet për veten, si e kalon ditën dhe për njerëz të tjerë, me të cilët vetë gruaja ka marrëdhënie në të përditshmen e vet.
Kontributi intelektual e patriotik
Publicist, shkrimtar, përkthyes, albanolog, diplomat, veprimtar i çështjes kombëtare, kryetar i Ballit Kombëtar dhe Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Mit’hat Frashëri, i njohur me pseudonimin letrar Lumo Skëndo, lindi në Janinë më 25 mars 1880. Ishte i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami Frashërit dhe Naim Frashërit. Ai e njohu shumë pak babain e tij dhe u rrit nën kujdesin e Samiut dhe Naimit. Edukimin akademik e mbaroi në Stamboll.
Pas mbarimit të shkollës, deri në vitin 1905, punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore. Ka qenë pjesëtar i klubit të Selanikut. Nisi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX. Një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX. Në vitin 1908, ai fillon botimin e gazetës “Liria” në Selanik. Kishte miq dhe bashkëpunoi me disa prej figurave të njohura shqiptare të kohës. Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit me 14 nëntor­22 nëntor 1908. Mit’hat bej Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit për Hartimin e Alfabetit, kryetar i Komisionit ishte At Gjergj Fishta. Veprimtaria e tij është shumë e gjerë dhe me kontribut për Shqipërinë.
Dashuritë e Mit’hatit
Është e pamundur që çdo histori dashurie të jetë e dokumentuar, megjithatë një pjesë e mirë e dashurive të Mit’hat Frashërit janë të njohura. Një “Don Zhuan” për kohën, ai bashkëjetoi dhe pati marrëdhënie me shumë vajza dhe gra europiane. Kështu, ne sot dimë që ai ka pasur marrëdhënie me një “Elsa nga Zyrih”, e dashura e tij gjermane. Me Elsën, ai u dashurua në vitin 1914, kur sapo kishte filluar Lufta e Parë Botërore. “Natyra jote cigane, ti që aq shumë do lirinë, udhëtimin, njohjen e botës, ndryshimin, jetën pa angazhime, pa kokëçarje”, i shkruante diku kjo vajzë apo grua. Por gratë e vajzat që ai ka pasur marrëdhënie intime dhe korrespondencë janë të shumta, që nga Anxhela, Ninoni e Lolota etj. Njëra prej të dashurave, Lolota, e thërret Mit’hatin me përkëdheli “Mimi”. E divorcuar dhe me një djalë të vogël, ajo ishte e dashura e tij gjatë vajtjeardhjeve të shpeshta në Paris.
letra-1
(er.nu/unegruaja/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: