Publicisti Veton Surroi i është shtruar punes për t’u bërë Sekretar i Përgjithshëm i RCC-së.

Për fushatë, ka shkuar në vende të ndryshme të rajonit si në Kroaci e Turqi. Por, pengesë në rrugën e Surroit, mëson Gazeta Express, është bërë Shqipëria, përkatësisht Kryeministri Edi Rama.

Ai ka plane për Majlinda Bregun. Surroi shpresonte në përkrahjen që do të mund t’ia siguronte Ali Ahmeti, por ky mund të jetë në anën e Ramës.

Qeveria e Kosovës përzgjodhi Veton Surroin kandidat për Sekretar të Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), me seli në Sarajevë.

Por, burimet e Gazetës Express thonë se Surroit, që po bën fushatë nëpër rajon, pengesa i ka dalë në prag të derës. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po e bllokon zgjedhjen e Surroit.

Siç mëson Express, Rama po shtyn para agjendën e vazhdimit të mandatit të Majlinda Bregut në pozitën, të cilën po e synon publicisti kosovar.

Statuti i RCC-së thotë se një Sekretar i Përgjithshëm, që e ka mandatin tri vjet, ka të drejtë rizgjedhjeje edhe për një herë tjetër.

Bregu ishte prej top emrave në listën e Ramës për President të Shqipërisë. Duke e bërë Bajram Begajn President, kryeministri i Shqipërisë duket se do që pozitën e Sekretarit të RCC-së t’ia sigurojë Bregut.

Sekretari i Përgjithshëm, sic e përshkruan statuti, “duhet të jetë një figurë e fuqishme politike nga rajoni, me aftësi të larta për ndërveprim me qeveritë e rajonit, partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet, si dhe duhet të ketë të regjistruara angazhime të suksesshme për bashkëpunim rajonal”.

Këto kushte, Qeveria e Kosovës ka vlerësuar se i plotëson publicisti i njohur.

Ndërkaq Surroi ka vazhduar fushatën e tij në rajon. Në fund të korrikut ai ka qenë edhe në Shkup për ta takuar kreun e BDI-së, Ali Ahmetin, partia e se cilit drejton Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë Veriore.

Surroi i kishte shkuar Ahmetit në zyrë dhe BDI-ja kishte publikuar një video pritjeje për publicistin. Ali Ahmeti shkoi për mysafirin, por pa përmendur fare fushatën e tij për Sekretar të RCC-së.

Por, Express mëson se kandidati nga Kosova nuk e ka të sigurt përkrahjen e Ahmetit, për shkak të ndikimit të Kryeministrit Rama te ai.

Ahmeti njoftonte se me Surroin ndër të tjera ka folur për projekte infrastrukturore që e lidhin Kosovën me Maqedoninë Veriore, por s’përmendte  të kenë folur për RCC.

Në vazhdën e kampanjës së tij, në korrik, Surroi ka shkuar edhe në Kroaci, ku, i shoqëruar me ambasadorin Martin Berishaj, është pritur nga Kryediplomati kroat, Gordan Grliq Radman.

Në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Kroaci thuhej se “Veton Surroi shpaloi idenë e tij lidhur me kandidaturën për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në RCC, si dhe për interesin e madh të Kosovës për të qenë faktor konstruktiv në këtë organizatë, për të cilën, ministri Grliq Radman shprehu mbështetjen në parim”.

Në fund të muajit të kaluar, Surroi, duke përdorur infrastrukturën shtetërore, ambasadën e Kosovës në Ankara, kishte takur zëvendësministrin e jashtëm të Turqisë  Faruk Kaymakci.

“I nominuari i Republikës së Kosovës për Sekretar të Përgjithshëm në Këshillin për Bashkëpunimin Rajonal (Regional Cooperation Council – RCC) z. Veton Surroi, realizoi një takim me zv. Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, z. Faruk Kaymakcı. Z. Surroi prezantoi planin dhe vizionin e tij lidhur me perspektivën rajonale, projektet zhvillimore, e domosdoshmërinë e ndërtimit të harmonisë dhe paqes së qëndrueshme për të gjitha vendet” thuhej në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Ankara.

Por,  një aktivitet i këtij lloji i Surroit, për të kërkuar mbështetje në Tiranë, deri më tani nuk ka ndodhur ose nuk është bërë publik edhe pse Surroi deri më tani ka pasur lidhje të mira me politikanët në Shqipëri dhe është figurë e njohur atje.

Çfarë është RCC-ja?

RCC-ja është lansuar zyrtarisht në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Evropës Juglindore (SEECP) në Sofje, më 27 shkurt 2008, si vazhdues i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore.

Këshilli i Bashkëpunimi Rajonal përbëhet nga 46 vende, organizata dhe institucione financiare ndërkombëtare. RCC-ja ka një Sekretariat me qendër në Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë, i cili drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm, Hido Biščević. Përveç zyrës qendrore në Sarajevë, Sekretariati ka një Zyrë Ndërlidhëse (Liaison) në Bruksel pranë institucioneve europiane dhe euro-atlantike

Në një përshkrim të shkurtër të organizatës, të publikuar në faqen e saj, thuhet se RCC-ja përqëndrohet tek bashkëpunimi rajonal në Europën Juglindore (EJL) nëpërmjet një kuadri me pronësi dhe udhëheqje rajonale, i cili gjithashtu mbështet integrimin europian dhe atë euro-atlantik. Roli kryesor i RCC-së është që të gjenerojë dhe koordinojë projekte zhvillimi si dhe të krijojë një klimë politike të tillë që do të mundësonte një përparim të përgjithshëm ekonomik dhe shoqëror në EJL, prej të cilit të mund të përfitojë e gjithë popullsia në rajo

Me vendimin e shkurtit  2013, të  Bordit të RCC-së, për miratimin e listës së anëtarëve të organizatës, në ndryshim nga lista paraardhëse, u vendos  përfaqësimi i Kosovës në RCC, të mos bëhet më me siglën e UNMIK-ut./gazetaexpress/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb