NGA: FATMIRA NIKOLLI*TIRANE- Zbulohet arkivi personal i pa shait të Tepelenës. Shumë legjenda dhe histori kanë qarkulluar prej vitesh për fatin e trashëgimisë që la pas pashai i famshëm shqiptar, pas vrasjes së tij në Janinë. Por me sa duket, 1.469 dokumente nga arkivi personal i Ali Pashë Tepelenës kanë shpëtuar dhe janë trashëguar nga një prej familjeve greke të Janinës, që kanë pasur marrëdhënie me pushtetin e Aliut. Lajmi jepet nga Auron Tare, studiues i fushës.

“Dokumentet, të cilat mendoheshin të humbura, janë blerë nga një manjat i pasur grek në vitet ’30 dhe me vdekjen e tij, këto dokumente i janë lënë në trashëgim Shkollës Amerikane të Athinës në vitet ’40, ku prej vitesh ato kanë qenë një nga thesaret e pashfrytëzuara të arkivit të pasur të këtij institucioni”, thotë ai për “Gazeta Shqiptare”.

Arkivi personal i Aliut prej vitesh ka qenë i panjohur për studiuesit e shumtë, por falë një pune prej 30 vjetësh të profesorit të njohur Vasili Panajotopulis. tashmë këto dokumente sjellin ngjarje dhe informacione të panjohura më parë mbi jetën dhe politikën e Ali Pashës në drejtimin e një shteti multietnik dhe multireligjioz. Sipas Tares, nga dokumenti i parë që daton në 1747 e deri në dokumente e ditëve të fundit para vrasjes se Aliut shpalosen ngjarje dhe fakte shumë interesante, duke sjellë dëshmi të panjohura për personazhe të cilët në kohën e tyre kanë ndikuar në konsolidimin e pushtetit të pashait shqiptar. Këto dokumente që shpalosin jetën e shtetit të Aliut kanë një vlerë të jashtëzakonshme jo vetëm për historinë e Greqisë së Veriut gjatë periudhës otomane, por në radhë të parë për historinë e trojeve shqiptare.

Kontributi shkencor i prof. Panajotopulos për ndriçimin e periudhës së Aliut është i jashtëzakonshëm, duke bërë të mundur njohjen në detaje të jetës të vrullshme të pashait shqiptar. Fati i arkivit personal të Ali Pashë Tepelenës do të jetë shumë shpejt tema e një emisioni televiziv të përgatitur nga Auron Tare në bashkëpunim me programin “Excluzive”.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: