Kryeministri Edi Rama edhe zyrtarisht e ka tërhequr padinë për shpifje që e kishte bërë ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt. Gazeta Express ka publikuar aktvendimin ku konstatohet tërheqja e padisë.

Kreu i Qeverisë shqiptare, Edi Rama që qëndroi për vizitë dy ditore në Kosovë nuk zhvilloi takim me ish-kryeministrin e Kosovës, e kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn. Ky i fundit deklaroi se nuk mund të takohet me dikë që e ka paditur. Para se të kthehej në Shqipëri, Rama tha se do e tërhiqte padinë ndaj Haradinaj duke vlerësuar figurën e tij.

“E kam njoftuar që s’do të bëj komunikim me mediat në çdo derë. I kam treguar se do ta tërheq padinë. Jo se ajo është e vogël për mua, por është me e madhe ajo që do të na bashkojë të gjithëve. Nuk e di çfarë roli do të ketë heqja e padisë. Për më tepër me padi, pa padi, Ramushi për mua nuk është kryeministri, politikani, është një prej figurave historike. Kështu që padia do të tërhiqet zyrtarisht”, tha Rama.

Madje, kryeministri shqiptar e ka nënshkruar personalisht tërheqjen e padisë ndaj Ramush Haradinajt. Rama ngriti padi në janar të këtij viti ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, për shpifje. Kjo pas disa deklaratave që Haradinaj kishte dhënë për Ramën dhe për idenë e shkëmbimit me territore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb