NIKOLLË LOKA
AV. ALFDRED DUKA
NIKOLIN KURTI

-Vazhdues i traditës së klerikëve katolikë atdhetarë –

Vijon nga numri i kaluar

Qëndrimi zyrtar ndaj Kishës Katolike dhe Famullitarit të Tiranës ndryshon në varësi të kushteve dhe rrethanave që ndryshonin vazhdimisht. Nuk është për t’u çuditur se pak ditë pas pjesëmarrjes në një ceremoni të rëndësishme shtetërore, Kisha e gjente veten të përjashtuar në të drejtat e saj të ligjshme.

Shqyrtimi i të gjithë rrethanave dhe aktorëve është shumë kompleks, por një gjë është e sigurt: zyrtarët italianë dhe gjermanë të pushtimit, nuk e pranonin plotësisht Klerin Katolik shqiptar dhe në vijimësi shfaqnin mosbesim ndaj tij. Kështu, në Krishtlindjet e vitit 1941, ishte neglizhuar dhe penguar nga autoritetet, transmetimi direkt i Meshës së Madhe të 24 dhjetorit 1941, siç kishte qenë praktika e zakonshme, me pretekst jo bindës: “Me keqardhje, ju njoftojmë se inxhinieri teknik i këtij stacioni, nuk mund ta bëjë lidhjen për nesër mbrëma, mbasi koha është tepër e shkurtër…” !

Solidariteti ndërmjet klerikëve italianë ishte një praktikë normale, por në kushtet e veprimtarive fetare, ai solidaritet nuk duhet të theksohej në dëm të bashkëpunimit dhe bashkëjetesës. Ishte normale që priftërinj dhe murgeshat italiane të qëndronin së bashku në kohën e lirë, ndoshta dhe të jetonin në të njëjtin vend, por pa u veçuar nga klerikët shqiptarë.

Murgeshat italiane që jetonin te Kisha Famullitare ku shërbenin shqiptarë, kishin kërkuar të shkonin te Kisha Jezuite, ku shërbenin misionarë italianë. Ato i ishin drejtuar disa herë me lutje Argjipeshkvit, pa e biseduar asnjëherë problemin me famullitarin. Argjipeshkëv Prenushi, në bazë të kompetencave të tij, u’a kishte miratuar kërkesën dhe menjëherë kishte vënë në dijeni famullitarin Kurti, që po e dëgjonte për herë të parë si problem.

Zyrë Famullitare e Tiranës ka nderin me i’u njoftue sa vijon:

Kuria, Arqip.e Durrësit, me letër të vetën Pr.Nr.74/44 datë 9.III.1944 shkruen: “Marrë parasysh me kujdes dëshirën, qi Paria e Kongregacionit të Zojës në Tiranë, na paraqiti sa herësh me gojë e me shkrim, e biseduam çështjen me fort të nderumin Dom Shtjefën Kurtin, Famullitar, e morëm mendimin e tij; vumë n’oroe se shumica e meshtarëve janë në njanën anë dhe pakica e meshtarëve në tjetrën n’at Zyrë Famullitare të Tiranës, mos tjetër tesh për tesh, nji veprim ashtu fare të veçantë për rreth këtij Kongregacioni, e pamë me udhë t’i napim Kongregacionit të Zojës, lejen qi të mund të shpërngulet prej Zyrës Famullitare së Tiranës e, të mund të kalojë e të struket pranë fort të ndertve Eten Jezuitë në Tiranë, t’ue u vu nën drejtim e rrugellim t’atyne rregulltarëve, po kje se nji mend kta, si na siguroi Paria e Kongregacionit, janë gati t’a pranojnë vullnetarisht kët barrë, për lumni të Zotit e të Zojës e për dobi të shumë shpirtnave.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Dom Shtjefni kishte bashkëpunuar me zyrtarë shtetërorë italianë apo shqiptarë gjatë viteve të pushtimit si famullitar, Dekan i Kishës, apo dhe si përfaqësues i saj pranë organeve shtetërore dhe asnjëherë si individ që shfaq preferenca personale. Me këtë cilësi bëhet pjesë e misioneve të rrezikshme të ndërmjetësimit, me synimin për të ndaluar sa të ishte e mundur derdhjen e gjakut të shqiptarëve. Nga letra që i dërgon Argjipeshkvit, kuptojmë se Dom Shtjefni nuk ka simpati për lëvizjen partizane, sidoqoftë ai pranon që së bashku me përfaqësues të besimeve të tjera, të ndërmarrë një mision ndërmjetësues pranë tyre, për të evituar gjakderdhjen.

Kurti i drejtohet Prenushit: “Trupat e ashtuquajtura shlirimtare, janë të portat e Tiranës. Prefekti ka thirr sot parsimin e popullit, e ka shfaq dëshirën me dërgue nji përfaqësi të popullit pranë tyne, tue i lutë mos të bëjnë ndonjë sulm, mbasi ushtria ka vendosur në rasë të sulmit, me e djeg qytetin. Me përfaqësi të popullit janë shënjue edhe katër fetarë: nji prej myslimanëve e prej bektashinjve, prej ortodoksëve nji dhe unë për anë të katolikëve. I nënshkruemi kërkon instruksion, si me veprue në këtë rasë a në tjera qi, mund të ndodhin ditë për ditë”.

Në vitin e fundit të pushtimit fashist, kur u pa qartë dhe kahu i fitores, Selia e Shenjtë dha udhëzime që kisha të dalë hapur në pozicionin e saj antikomunist. Kjo bëri që disa klerikë të kalonin hapur në bashkëpunim me qeverinë kuislingë, apo dhe me gjermanët. Edhe në atë situatë, Dom Shtjefni qëndroi i paangazhuar në politikë. Duhet pranuar se Kurti, nuk i ka dashur italianët e gjermanët dhe ishte nën zhgunin e tij një klerik, një antifashist, pasi ndryshe nga vitet e pushtimit, pas çlirimit, ai mbajti një qëndrim tjetër, duke u bërë më aktiv dhe organizoi disa takime me përfaqësues të misioneve aleate në vendin tonë.

Të shtyrë nga ndjenja atdhetare, shumë individë që ishin politikisht in aktivë ose që bashkëpunuan sa për sy e faqe me pushtuesin, i shërbyen Luftës Nacionalçlirimtare në prapaskenë. Shumë aksione që ndërmerrnin partizanët vinin nga tradhtia e brendshme dhe kjo bëri që të shtohet mosbesimi midis trupave gjermane dhe shqiptarëve. Në ato kushte, shqiptarët pa përjashtim, i’u nënshtruan kontrolleve dhe masave represive. Puna shkoi deri aty sa të dyshohet edhe për Kishën dhe shërbëtorin e saj. Ky dyshim tregon se pushtuesi nuk e llogariste Kishën në anën e vet. Edhe në atë situatë, Dom Shtjefën Kurti, e mbron me vendosmëri Kishën dhe proteston energjikisht pranë Ministrinë e Punëve të Brendshme.

«Dje kah ora katër të pasdites, delte prej shpije te Kishës Famullitare të Tiranës, shërbëtori Ndue Alija, për me krye shërbimet e shpis. E, posa kishte vue këmbën përjashta portës, qe ndalue me egërsi e tue i vue revolverin përpara, prej disa agjentëve të veshun civil, të cilët thonë se qenkan nga Vlona.

Duhet dijte se do të ditë përpara, Nacionalçlirimtarët paskan njitë në murë t’avlllisë së Kishës, si edhe gjithkund nëpër qytet, disa prej trakteve të tyre të zakonshme.

Sigurisht qi zotnitë agjentë e kapën Nduen si bashkëpunëtorë, mbasi pretendojshin qi fajtor ishim ne qi, nuk muejm më hetue se kush po i ve ato trakte. A thue se ne jemi agjenta e jo ata…! Natyrisht se protestimet e djalit, nuk u muarnë parasysh, por me armë në dorë e vunë para edhe e çuen fill në policinë e qytetit.

Mbas nji gjysmë ore ngjau ajo skenë, shof se më kishin hi në shtëpi nji Toger i Policisë, vesh me uniformë e disa tjerë nga ata qi e kishin arrestue shërbëtorin. Z. Toger me tha se, kishte ardhë me më kontrollue (ai ishte qi iu printe, sigurisht i dërguem prej ndonjë eprorit të vet). I nënshkruami i kërkoi z. Togerit:

Më tregoni Zotni, se me të kuj urdhën keni ardhë me më kontrollue? Nuk kemi urdhërin me shkrim, – u përgjigji z. Toger. E po nuk keni të drejtë të më kontrolloni arbitrarisht z. Toger, kje përgjigja e të nënshkruemit, e, së pakut, të bishit me vedi Plakun e lagjes! Nuk i’u vu veshi as kësaj kërkese. Panë se kishte në Zyrë t’ime dy gra, të cilat kishin ardhë për çështje të tyne personale e fetare, e z. Toger e urdhnoj njerin prej atyne vlonjakëve, me armë e me shishe në brez, t’iu marrë emnat, të cilat natyrisht, u trishtuen e protestuen për këtë gjest të pashoq në botë.

Zoti Ministër, them të vërtetën se kam mbetë i fyem tepër prej këtij gjestit arbitrar, të pashoq, ndër tjera të pakohë… e Ju lutemi çeshtja të skjarohet mirë, mbasi due të protestoj me anë të kësaj letre energjikisht, për cënimin qi m’asht ba mue personalisht, popullit katolik të Tiranës, të cilit i nënshruemi e përfaqson, si edhe Kishës, të cilës i’u cënue e drejta qi ka populli kurdoherë, me shkue për punë të veta. Vrej se kjo mënyrë nuk asht sigurisht ajo qi do ti bashkojnë shqiptarët.

Kisha Katolike është akuzuar nga regjimi komunist se, kishte ndihmuar në italianizimin e shoqërisë. Ndoshta ka raste individuale që vijnë nga një tërësi faktorësh, por në tërësi Kleri Katolik Shqiptar, qe formuar me atdhetarizëm dhe për shumë kohë qe kontribuesi kryesor në krijimin dhe ruajtjen e vlerave tona në letërsi, art dhe në kulturë. Megjithë ndikimet e shumta nga jashtë mbi Kishën Katolike, doktrina e saj qe përshtatur me situatën specifike të Shqipërisë.

Krishterimi u perceptua dhe u praktikua sipas disa zakoneve tradicionale dhe stileve të jetës, të përshtatura, që kanë rregulluar jetën familjare dhe shoqërore dhe ekonomike të popullit shqiptar. Krishtërimi nuk e përjashtonte traditën zakonore dhe mentalitetin e shoqërisë, por i pranonte elementet e kulturës lokale si: mikpritja, nderi, besa, bujaria, paprekshmëria e gruas, solidariteti, ndihma reciproke etj. Veprimtaria e klerit katolik konsistone në gjetjen e një kompromisi midis të drejtës kanonike dhe traditave kulturore të popullsisë lokale.[1]

Në këtë rol, Kisha Katolike ndihmonte në rezistencën kulturore të shqiptarëve kundër procesit të italianizimit të vendit. Brenda misionit të vet, Kisha u përpoq ta ruante traditën, duke luftuar që shqiptari të mbetet shqiptar, me identitet dhe zakone të vetat. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim luajti “Veprimi Katolik”, ku Dom Shtjefni ishte shumë aktiv në edukimin e moshave të reja me ideale të krishtera, besnik ndaj zakoneve dhe traditave të mira të shqiptarëve. Në kushtet e reja të pas pushtimit, Veprimi Katolik shërbeu për orientimin e të rinjëve drejt vlerave kombëtare. Rezistenca kulturore që i bëhej pushtuesit ishte pjesë e qëndresës së popullit tonë dhe e përpjekjeve të tij për mbijetesë, në ato kohë të vështira.

Dom Shtjefën Kurti e konsideronte shthurjen si një praktikë të shëmtuar që binte në kundërshtim me parimet e krishtera, por qëllimisht nuk përmend dhe traditën kombëtare, që mos të kalonte në pozicionin e nacionalistit të deklaruar. Në letrën që i dërgon Ministrisë së Brendshme, ai kundërshtimin ndaj degjenerimit, nuk e bën si mbrojtës i traditave shqiptare, por si mbrojtës i traditave të krishtera. Sigurisht ky pozicion ishte zgjedhur për arsye taktike, pasi në të vërtetë, përveçse traditë e krishterë, pastërtia morale ishte pjesë e traditës sonë kombëtare, që shqiptarët përpiqeshin ta ruanin me fanatizëm. Duke mbrojtur traditën, Kisha Katolike donte t’i përgatiste të rinjtë që po hynin në një shoqëri moderne, që të imunizoheshin nga sëmundjet e modernitetit, siç ishte jeta e lirë dhe marrëdhëniet jashtëmartesore.

Zyra famullitare

E kishës Katolike Tiranë.

P.T. Ministrisë së Punëve të Mbrendëshme Tiranë.

I nënshkruemi ka nderën me i parashtrue Asaj P.T. Ministri, lutje qi poshtë:

Njitë me Kishën Katolike të Tiranës, mbajnë nji kafe Zotnijtë Kes Koja e Ortak Curri, e cila ka për emën “Kafe Pijetore, Drita”. Në kundërshtim me dispozita njerzore kudo në botë, qeveria e parshme, me gjith hankimet tona, lejote qi n’atë kafe të qindrojshin varza e, të baheshin ahenge kohë e pa kohë, me nji fjalë qi ajo të ketë të pamit e nji bordeli e jo ma tjetër. Po njishtu e ma zi, asht tue vazhdue edhe sot. Sigurisht ky lokal nuk përshtatet të jetë kojshi me Kishë, vendi ma i shejtë për besimin katolik.

I nënshkruemi ka nderën me i u lutë Asaj P.T. Ministrie qi, të napi urdhna kathegorike qi aj lokal të mbyllet ose të marri troje në vend tjetër.

Me nderime të plota

Famullitari Katolik

Tiranë, 2.VI. 1939 Don Shtjefën Kurti

Me pushtimin, vendi ynë përjetoi zhvillim ekonomik, por edhe disa zhvillime arsimore dhe kultururore. Italianët sollën mënyrën e tyre të jetesës, e cila binte në kundërshtim me mënyrën tonë. Pavarësisht se Kisha Katolike dallohej për frymën e saj Perëndimore, ajo ishte për përzgjedhjen e atyre vlerave që i shkojnë karakterit kombëtar të shqiptarëve dhe kundërshtimin e vlerave të huaja, që erdhën prej traditës së popujve të tjerë, apo ishin produkt i modernitetit.

Në një letër që i dërgon Kurisë Arqipeshkëvnore, pasi ankohet për mënyrën e paraqitjes së disa femrave në kishë, e informon Arqipeshkëvin për masat që kishte marrë për t’a ndaluar këtë dukuri negative. “Mënyra e përdhosun e të veshunit, për shka i përket çetës femnore, ka vojtë në nji shkallë aq t’ultë, sa me pasë arsye me dashtë mallkimin e Zotit, kundra gjith njatyne qi e dhurojnë trupin e vet, qi asht tempull i shpirtit shenjt, si edhe kundra atyne qi, a tue hesht, a tue bart, bashkëveprojnë në kët shkandull. E tue kenë se moda e shnjerëzueme po guxon të kalojë edhe edhe prakun e vendit shejtë, e pamë me udhë t’vendojmë e t’urdhnojmë sa vijon:

Mos të lehen me hi në kishë, as me marrë pjesë ndër sakramende shejt, gra e varza: a) qi mos t’i kenë krahët e mluem deri mirë nën bryla; b) qi mos të ken petka të cillat, t’u mrrijnë fort për nën gju; c) qi të vinë petka shnjerzishtë çiluna për rreth qafës”.

Famullitari Kurti nuk heziton që të kritikojë punën e organeve shtetërore në ato fusha ku, Kisha ishte e pranishme, siç ishte rasti me qëndrimin ndaj atyre që vdisnin në spital, të cilët qëndronin aty pa nevojë me ditë të tëra. “Ato që desin në Spital, nuk po vonohen mbrenda kohës por po qindrojnë zakonisht (nuk dij se prej të kuj negligjence), dy e tri ditë, ka ba vaki edhe 7 ditë. Kjo punë asht nji shrregullim i fortë, nji mkat e nji marrë e madhe e mungesë e fortë.

Shpeshherë na ndodhin pengesa prej anës së karrocaxhijes qi ban të vdekunit e shkatohet vonesë. Pse na me mbet gjithmonë në mëshirën e karrocaxhies…”!

Bashkëpunim me autoritetet shtetërore në të mirë të Kishës

Bashkëpunimi me autoritetet ishte i detyrueshëm, pasi në mungesë të Arqipeshkëvit që e kishte selinë në Durrës, Kurti ishte kleriku më i lartë me qëndrim në Tiranë, prandaj duhet të bashkëpunonte me autoritet shtetërore. Kisha qëndron pranë besimtarëve të vet dhe në shërbim të tyre, por plotësimi i kërkesave bëhet nga shteti. Klerit i takonte të qëndronte jashtë politikës, por jo dhe indiferent ndaj saj, pasi si institucion ishte i detyruar të angazhohet në mbrojtjen e të drejtave njerëzore, politike dhe fetare të katolikëve. Kisha Katolike gjatë gjithë kohës ka qenë edhe një qendër sociale, ku antarët e komunitetit katolik kanë trokitur për të zgjidhur hallet e tyre, të cilat në shumë raste kanë dashur ndërhyrjen e shtetit.

Nga ana tjetër, edhe shteti kishte nevojë për ndihmën e Kishës. Veprimtaria bamirëse e kishës e ndihmon mjaft, pasi nuk mund t’i plotësonte të gjitha nevojat e shtresës së varfër. Mbështetja e Italisë për Kishën i shërbente elementit katolik. Ipeshkëvinjtë shqiptarë ishin të vetëdijshëm për qëndrimin anti-italian të Klerit të tyre. Kur konsulli italian kërkoi që në kishën e Zojës së Këshillit të Mirë, të shkatërruar prej turqve dhe të rindërtuar me parat që i kishte dhënë qeveria italiane, të vendoset një pllakë në kujtim të dhuratës, Arqipeshkëvi, duke e ditur indinjatën e popullit, i’a ktheu shumën e fituar prej 10 mijë frangash, kështu që pllaka nuk u vendos. /Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb