Opozita akuzon maxhorancën për bllokim të reformës zgjedhore. Në një letër të firmosur nga dy anëtarët e opozitës në Grupin e Punës të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili thuhet se “deklaratat për një reformë jokonsensuale dhe të njëanshme synojnë krijimin e ngërçeve politike artificiale që dëmtojnë konsensualitetin e Reformës Zgjedhore dhe janë shpenzim energjish i kotë në dëm të përmbushjes së një prej kushteve të vendosura nga BE për hapjen e negociatave për antarësim”.

Sipas opozitës, “bllokimi i punës për Reformën Zgjedhore në fakt është një sjellje e hershme e qeverisë”. “Është rasti i paprecedentë që mazhoranca parlamentare nuk ka arritur të krijojë kushtet për pasqyrimin e rekomandimeve të ekspertëve të OSBE/ODIHR për gati 7 vite”, thuhet më tej, teksa kërkohet mbledhje ditën e diel ose të hënën me tre pika të përcaktuara si rend dite.

Kërkesë për mbledhjen e Grupit të Punës së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore

Drejtuar: Z. Damian Gjiknuri
Znj. Rudina Hajdari

Adresa: Kuvendi i Shqipërisë,
Bul. “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë

Z. Gjiknuri,
Znj. Hajdari,

Në media jemi njohur me nisjen nga ana juaj të një debati pa sens praktik dhe logjik, duke vënë kështu në dyshim vijimin e punës së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore.

Opozita ka qenë dhe mbetet e angazhuar për përmbushjen e këtij kushti për hapjen e negociatave me BE dhe për t’i siguruar qytetarëve shqiptarë mundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky ka qenë angazhimi ynë i përditshëm, duke i vlerësuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme si themelin e demokracisë, dhe procesin e integrimit europian si prioritet kombëtar.

Që nga krjimi i Këshillit Politik, opozita ka qenë e angazhuar në mënyrë konstruktive në Tryezën e Punës, duke bërë propozime dhe duke ofruar zgjidhje për problemet e evidentuara ndër vite nga Misionet Vëzhguese të OSBE/ODIHR.

Puna në Këshill, sikurse jeni në dijeni, u ndërpre për shkak të emergjencës shëndetësore të krijuar nga epidemia e COVID-19. Nga momenti i ndërprerjes për këtë shkak, nuk ka patur asnjë kërkesë apo ftesë për rinisjen e punës nga ana juaj.

Deklaratat nga ana juaj për një reformë jokonsensuale dhe të njëanshme synojnë krijimin e ngërçeve politike artificiale që dëmtojnë konsensualitetin e Reformës Zgjedhore dhe janë shpenzim energjish i kotë në dëm të përmbushjes së një prej kushteve të vendosura nga BE për hapjen e negociatave për antarësim.

Bllokimi i punës për Reformën Zgjedhore në fakt është një sjellje e hershme e Qeverisë. Është rasti i paprecedentë që mazhoranca parlamentare nuk ka arritur të krijojë kushtet për pasqyrimin e rekomandimeve të ekspertëve të OSBE/ODIHR për gati 7 vite.

Ashtu sikurse është e paprecedentë që ne ende nuk kemi asnjë përgjigje zyrtare nga ana juaj për propozimet e bëra nga ana jonë në mbledhjet e Këshillit Politik për gati 2 muaj.

Pavarësisht mungesës së përgjigjes nga ana juaj për propozimet tona, duke qenë se ne mbetemi të angazhuar, jo për fjalë apo debate pa vlerë, por për përmbylljen sa më parë të Reformës Zgjedhore, duke siguruar implementimin e Rekomandimeve të OSBE/ODIHR për standardet demokratike të zgjedhjeve:

KËRKOJMË NGA ANA JUAJ:
Konfirmimin për të zhvilluar mbledhjen vijuese të Grupit të Punës së Këshillit Politik, ditën e diel, datë 10.05.2020, ora 11:00 ose ditën e hënë, datë 11.05.2020 ora 10:00, me këtë rend dite:

1. Riskedulimin e kalendarit të punës së Këshillit Politik, duke synuar përmbylljen e punës brenda datës 31 Maj 2020.
2. Vlerësimin e përfaqësuesve të maxhorancës mbi propozimet e deritanishme të opozitës të bëra në mbledhjet paraardhëse të Këshillit Politik.
3. Çështje të tjera të propozuara nga anëtarët e tjerë të Këshillit Politik.

Mbledhja të zhvillohet në kushtet e sigurisë të diktuara nga epidemia e COVID-19, duke respektuar të gjitha kërkesat e autoriteteve shëndetësore që garantojnë jetën dhe shëndetin e të gjithë pjesëmarrësve në mbledhje.

Mbetemi në pritje të konfirmimit nga ana juaj!
PËRFAQËSUESIT E OPOZITËS NË KËSHILLIN POLITIK:
OERD BYLYKBASHI PETRIT VASILI

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb