Për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, Partisë Socialiste iu ofruan plot 104 donatorë të ndryshëm, që financuan një pjesë të mirë të shpenzimeve të fushatës elektorale. Bëhet fjalë për financime me para në dorë, të derdhura në arkën e Partisë Socialiste dhe mbështetje financiare në formën e ofrimit të ambienteve private për funksionin e zyrave elektorale. Në total të gjithë donatorët e deklaruar nga PS kanë dhuruar 2.865.691 lekë, ku pjesa dërmuese është ofruar në formën e qirave të ambienteve.

Financimi ‘cash’

Lista e personave fizikë që kanë derdhur lekë në dorë në arkën e PS-së për përballimin e fushatës së shkuar elektorale nuk është shumë e gjatë, pasi shumica ka preferuar ta mbështesë në natyrë, pra duke ofruar kryesisht ambiente falas për zyra elektorale. Lista e atyre që kanë ofruar lekë ‘cash’ përbëhet nga 11 persona, të cilët kanë dhuruar shuma që variojnë nga 25 mijë lekë deri në 100 mijë lekë të reja. Natyrisht që kjo listë bëhet më e gjatë po të kemi parasysh se para për përballimin e shpenzimeve të fushatës kanë paguar edhe vetë kandidatët për kryetarë bashkie. Raporti financiar i dorëzuar nga PS në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve jep të ardhurat dhe shpenzimet e kryera nga secili kandidat, ku rezulton se kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli ka kryer paguar plotë 3.2 milionë lekë nga xhepi i tij për përballimin e shpenzimeve elektorale që sipas të njëjtit raport, kanë kushtuar po 3.2 milionë lekë. Pas tij në listën e kandidatëve që kanë paguar më shumë për fushatën e tyre elektorale vijnë kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, ai i Lezhës, Pjerin Ndreu dhe ai i Fierit Armando Subashi.

Financimi i qirave
Pjesa dërmuese e donatorëve të Partisë Socialiste kanë ofruar ambiente me qira ose kanë përballuar pagesën e qirave për zyrat elektorale. Në total llogariten 93 persona fizikë, që kanë kontribuar për fushatën e PS-së, duke ofruar ambiente për zyra elektorale ose kanë paguar qiratë e tyre. Shifrat e përllogaritura si financim për pagesë qiraje variojnë nga 2300 lekë minimalja deri në 210 mijë lekë maksimalja. Pra, siç shihet, perona të ndryshëm kanë paguar qiratë e më shumë se një ambienti, pasi edhe shuma që është deklaruar kap shifra të konsiderueshme.

Buxheti për zgjedhje
Sipas raportit financiar të dorëzuar në KQZ-ja, Partia Socialiste ka harxhuar afro 80 milionë lekë të reja për fushatën e saj në të gjithë vendin, po aq sa kanë qenë edhe të ardhurat që ajo ka siguruar nga fondet publike, paratë e dhuruara nga mbështetës të ndryshëm, kandidatët dhe kuotat e anëtarësisë. PS-ja ka marrë paradhënie nga fondet e Buxhetit të Shtetit shumën 40.863.138 lekë, ndërkohë që 2.865.691 lekë i ka siguruar nga dhurimet e personave fizik. Një tjetër e ardhur e rëndësishme për Partinë Socialiste kanë qenë edhe ato që janë dhuruar nga vet kandidatët për përballimin e fushatës së tyre në zonat përkatëse. Në total kjo shifër shkon në 32.331.770 lekë ose afro sa gjysma e të gjitha të ardhurave që ka siguruar Partia Socialiste për këto zgjedhje. Socialistët kanë siguruar edhe rreth 3 milionë lekë prej pagesave të kuotizacioneve të anëtarësisë së partisë, një shifër kjo e konsiderueshme dhe që tregon angazhimin e madh të së gjithë bazës në zgjedhjet e shkuara vendore.

  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb