KORCE– Drejtori i një fondacioni bamirësie në Korçë së bashku me tre vullnetare të kësaj strukture, dyshohet se kanë abuzuar me fondet e mbledhura, duke mashtruar qytetarët. Policia e Korçës ka nisur procedimin penal ndaj katër personave, pasi dyshohet se u kërkonin shuma monetare qytetarëve, me pretendimin për të ndihmuar familje në nevojë; gjë të cilën nuk e realizonin.

Specialistët e Seksionit kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve:
M, 42 vjeç, banues në Tiranë (drejtor i një fondacioni, nenet 248 dhe 143/2)
R, 22 vjeçe, banuese në Përmet,
V, 21 vjeçe, banuese në Tepelenë,
K, 25 vjeçe, banuese në Tiranë (të treja shtetaset vullnetare, neni 143/2)

Procedimi ndaj tyre filloi pasi, shtetasi A.M, me detyrë Drejtor i një fondacioni si edhe tre shtetaset e tjera me detyrë vullnetare të këtij fondacioni, më datë 28.03.2017 u konstatuan në aksin rrugor Korçë­-Pogradec duke ndaluar mjete të ndryshme dhe duke iu kërkuar atyre vlera monetare për fondacionin, për t`i ardhur në ndihmë një familje në nevojë në qytetin e Përmetit.

Nga hetimet dhe verifikimet e kryera rezultoi se shtetasit e mësipërm nuk posedonin asnjë urdhër të shkruar apo autorizim, për të kryer këtë veprim.

Gjithashtu shumat monetare të grumbulluara nuk arkëtoheshin sipas ligjit, me bllok tatimor nga ana e fondacionit si edhe tre shtetaset A.R, A.V dhe J.K (vullnetare) nuk rezultojnë të siguruara.
Materialet i kaluan Prokurorisë e Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Mashtrim”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: