Opozita e bashkuar ka paraqitur në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik një propozim me gjashtë pika, ku kërkon hapje 100% tër listave.

“Opozita propozon amendamentin për hapjen 100 % të listave të kandidatëve. Çdo ndryshim tjetër i njëanshëm është i papranueshëm, prish marrëveshjet e 5 Qershorit dhe 14 Janarit”, thuhet në qëndrimin e opozitës së bashkuar.

Gjithashtu, opozita e bashkuar thekson se ka paraqitur qëndrimin që neni 64 i Kushtetutës nuk ka nevojë të ndryshohet.

“Opozita ka paraqitur sot në Këshillin Politik qëndrimin që i vetmi ndryshim kushtetutes i nevojshëm dhe i mjaftueshëm që krijon mekanizmin për lista 100 % të hapura është si vijon: “Në nenin 68 të Kushtetutës, fjalia e tretë, e pikës 1, shfuqizohet.” Ky amendament duhet të reflektohet, nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent për qytetarët, nga të gjitha partitë politike dhe aktorët zgjedhorë, në Kodin Zgjedhor. Këto ndryshime duhet më pas të dërgohen për miratim në Parlament si një paketë e vetme.

Opozita e bashkuar ka rikonfirmuar se ndryshimet e tjera të propozuara nga Partia Socialiste cënojnë garën elektorale mes partive politike, 6 muaj përpara datës për regjistrimin në zgjedhje.

Qëndrimi i plotë i Opozitës së Bashkuar në Këshillin Politik:

1. Në përmbushje të qëllimit për kalimin në një mekanizëm me lista 100 % të hapura, rezulton se NUK ka asnjë nevojë për ndryshime në nenin 64 të Kushtetutës, ku aktualisht parashikohet vetëm a) lloji i sistemit zgjedhor (“sistemi proporcional në nivel qarku”), b) ndarjen e zonave zgjedhore në nivel qarku dhe c) delegimin që rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor të përcaktohen në ligj. Neni 64 nuk ka asnjë pengesë për të kaluar në mekanizimin e listave 100 % të hapura dhe për pasojë nuk duhet të ndryshohet.

2. Në përmbushje të qëllimit për kalimin në një mekanizëm me lista 100 % të hapura, rezulton se neni 68 i Kushtetutës, aktualisht parashikon a) subjektet zgjedhore (që janë partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe kandidatët e propozuar nga zgjedhësit), b) rregullin që një kandidat mund të propozohet vetëm nga një subjekt zgjedhor, si dhe c) delegimin që në ligjin e zgjedhjeve të parashikohen rregullat për regjistrimin e kandidatëve dhe organizimin/zhvillimin e zgjedhjeve. Në këtë nen, parashikohet edhe një rregull në pikën 1 të tij, sipas të cilit “Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës”. Kjo fjali në Kushtetutë është e vetmja pengesë për të kaluar në një mekanizëm me lista 100 % të hapura. Heqja e kësaj fjalie është e mjaftueshme që në ligjin e zgjedhjeve të parashikohet aplikimi i mekanizimit me lista 100 % të hapura, sepse sipas pikës 3 të nenit 64 të Kushtetutës është ligji i zgjedhjeve që parashikon kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional.

3. Për të krijuar bazën kushtetutese për kalimin në një mekanizëm me lista 100 % të hapura, është e nevojshme dhe e mjaftueshme që të bëhet vetëm Amendamenti Kushtetutes si vijon: “Në nenin 68 të Kushtetutës, fjalia e tretë, e pikës 1, shfuqizohet.” Në këtë mënyrë, kushtetutëbërësi krijon mundësinë kushtetutese që në Kodin Zgjedhor të ndryshohet mënyra e hartimit të listave, duke parashikuar votën parapëlqyese për kandidatët në listat e secilës parti. Ky ndryshim krijon mundësinë e garës midis kandidatëve në listën e vetë partisë politike.

4. Ndryshimet e tjera të propozuara nga Partia Socialiste cënojnë garën elektorale mes partive politike, 6 muaj përpara datës për regjistrimin në zgjedhje, e për pasojë janë jo vetëm të papranueshme, por cënojnë rëndë barazinë e palëve në një proces zgjedhor. Ato janë hartuar dhe imponuar në mënyrë të njënashme të imponuara nga njëra palë, për ti shërbyer interesave të ngushta politike, në situatën politike të momentit, 6 muaj para regjistrimit në zgjedhjet e ardhshme.

5. I vetmi ndryshim kushtetutes i nevojshëm dhe i mjaftueshëm që krijon mekanizmin për lista 100 % të hapura është Amendamenti Kushtetues si vijon: “Në nenin 68 të Kushtetutës, fjalia e tretë, e pikës 1, shfuqizohet.” I cili duhet të reflektohet, nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent për qytetarët, nga të gjitha partitë politike dhe aktorët zgjedhorë, në Kodin Zgjedhor. Këto ndryshime duhet më pas të dërgohen për miratim në Parlament si një paketë e vetme.

6. Përvec këtij ndryshimi të paraqitur më sipër, asnjë ndryshim tjetër në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor në lidhje me: a) formulën ekzistuese të koalicioneve parazgjedhore, b) ndarjen aktuale të zonave zgjedhore në nivel qarku, c) formulat ekzistuese për ndarjen e mandateve ndërmjet koalicioneve dhe brenda koalicioneve, d) pragun elektoral ekzistues, si dhe cështje të tjera që lidhen me zgjedhjet, nuk mund të ndryshohen pa arritur dakordësinë mes të gjitha palëve në Këshillin Politik.

  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb