Akreditim me kusht, nga 1 deri në 5 vite për të gjitha universitetet publike e private në vend. Është ky vendimi përfundimtar që do të dalë nga mbledhja e Bordit të Akreditimit.

Por, në fakt, gjithçka është vendosur më herët, pas analizës së raporteve që kanë hartuar ekspertët e agjencisë britanike “Quality Assurance Agency” dhe ata vendas, pjesë e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, pas një periudhe 6-mujore.

“Panorama” zbardh vlerësimet për të gjitha universitetet publike, për të cilat është dhënë “OK”, me kushtin që në krye të një ose disa viteve të plotësojnë standardet, në të kundërt nuk do të funksionojnë si të tilla.

RAPORTI PARAPRAK
Në mbledhjen joformale të zhvilluar një ditë më parë është vendosur akreditimi me kusht për disa universitete, duke përmbyllur kështu procesin e vlerësimit për akreditimin e të gjitha IAL-ve në vend. Në tabelën bashkëngjitur shkrimit pasqyrohet edhe kohëzgjatja e periudhës së vlefshmërisë.

Ajo çfarë bie lehtësisht në sy është Universiteti i Tiranës, më i vjetri dhe më i madhi, i cili ndodhet në fund të listës, duke u vlerësuar minimalisht, krahasuar me universitetet e tjera. Nga pesë standardet e marra në shqyrtim, tre prej tyre përmbushen thelbësisht, ndërsa dy të tjera pjesërisht.

Kjo ka bërë që Bordi i Akreditimit të përpilojë një listë të gjatë me rekomandime, duke i lënë një vit kohë për t’i përmbushur ato. Me standarde pak më të mira se ato të UT-së rezultojnë tri universitete në rrethe: ai i Shkodrës, Vlorës dhe Gjirokastrës. Universiteti Politeknik dhe “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan qëndrojnë diku në mes, duke përmbushur plotësisht dhe thelbësisht të pesë standardet për t’u akredituar për një periudhë 3-vjeçare, ndërsa “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe Politekniku kanë 4 vite kohë për të përmbushur kushtet e vendosura nga ekspertët.

Në majë të piramidës qëndron universiteti më i ri, ai i Mjekësisë, i cili është vlerësuar maksimalisht për katër tregues dhe thelbësisht mirë për një standard. Kjo u siguron atyre “qetësinë” për pesë vitet në vijim, nga gjashtë të mundshmet që mund të akreditoheshin.

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar nga MAS në dhjetor të 2016-s, agjencia britanike “Quality Assurance Agency” ka bërë kontrollin e kritereve të ligjshmërisë së të gjitha institucioneve të arsimit të lartë.

Qëllimi kryesor i Vlerësimit Institucional është të vlerësojë se në çfarë mase IALtë arrijnë standardet e cilësisë ku mbështetet vendimi i akreditimit. Raportet e vlerësimit shërbejnë jo vetëm për universitetet, por edhe për studentët që i besojnë atij.

Këto raporte të detajuara pritet t’i shkojnë në tryezë ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, e cila nga ana e saj në bazë të tyre vendos nëse një institucion akreditohet ose jo.

REZULTATI PER AKREDITIMIN INSTITUCIONAL
Universiteti i Mjekësisë 5 vite
Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan 3 vite
Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës 4 vite
Universiteti Bujqësor i Tiranës 4 vite
Universiteti Politeknik i Tiranës 3 vite
Universiteti “Fan. S. Noli”, Korçë 4 vite
Universiteti i Tiranës 1 vit
Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër 2 vite
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë 2 vite
Universiteti “Eqerem Çabej”, Gjirokastër 2 vite

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb