Drejtimi i filmit më të fundit të agjentit 007 i është besuar një regjisor japonezo-amerikan. Ai është 41-vjeçari Cary Joji Fukunaga, i cili gëzoi sukses të madh me seritë e para të “True Detective”.

Fukunaga, i pari amerikan që merr në dorë regjinë e një filmi të James Bond, zëvendëson kështu Danny Boyle, i cili dha dorëheqjen muajin e kaluar me argumentin e “dallimeve të mëdha krijuese”.

Xhirimet për pjesën më të re të sagës së agjentit më të famshëm të botës nisin në 4 mars. “Bond 25” do të sjellë sërish Daniel Craig në rolin e protagonistit. Producentët janë shprehur tejet të kënaqur nga bashkëpunimi me Fukunagën, i cili ka qenë i zënë së fundi me komedinë e zezë të Netflix-it, “Maniac”, ndërsa në vitin 2015 befasoi me “Beasts of No Nation”, ku interpretonte i famshmi Idris Elba.

Për Daniel Craig kjo do të jetë hera e pestë dhe e fundit që vihet në rolin e Bondit. Ai do ta mbyllë me kaq pas interpretimeve në “Casino Royale”, “Quantum of Solace”, “Skyfall” dhe “Spectre.”

Premierën, “Bond 25” do ta ketë 14 shkurtin e vitit 2020.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb