Nga FATMIRA NIKOLLI*

Vijojnë “surprizat” e mira në Lezhë. Mure antike, 1500, 1600 dhe 2000-vjeçare kanë dalë në dritë në mes të qytetit. Zbulimet e ditëve të fundit qenë të rastësishme dhe shkak për këtë u bënë punimet e kryera nga Ndërmarrja e “Ujësjellës-kanalizimeve”. Specialisti i monumenteve në Lezhë, Paulin Zefi, sqaron për “GSH” se gjetja e këtyre mureve “na ka detyruar që të ndërpresim procesin e gërmimeve përgjatë rrugës ndërmjet Prefekturës Lezhë dhe Drejtorisë së ALUIZNI-it, pasi në thellësinë rreth 0.80 m. deri në kuotën 1.30 m janë konstatuar struktura murale antike”. Sipas tij, menjëherë është njoftuar ASHA (Agjencia e Shërbimit Arkeologjik) ku arkeologët e saj kanë ndërhyrë menjëherë duke bërë gërmime arkeologjike te vendi në fjalë. Bëhet fjalë për rezidenca romake dhe gjetje qeramike…

Zbulimi i parë

Struktura e parë murale i përket një fortifikimi antik të periudhës bizantine e njohur si periudha e Antikitetit të vonë, shek.V&VI-të. Zefi beson se përputhen me pjesë të së njëjtës strukturë murale, që përpara tri javësh u zbuluan në skajin lindor të lulishtes pranë sheshit të bashkisë, ku kompania ndërtuese po gërmonte për të hapur një pusetë si pjesë e rrjetit nëntokësor për grumbullimin e ujërave.
“Struktura murale në fjalë është e gjerë rreth 5m dhe duke u nisur nga teknika romake e ndërtimit ‘Opus Incertum'(gurë mesatare me llaç të trashë), më siguron bindjen e plotë që kjo strukturë daton në shek. V&VI dhe këto mure duhet t’i përkasin një fortifikimi të dytë përforcues rreth qytetit antik Lissus”, thotë ai.

Zbulimi i dytë

Sipas specialistit të DRKK Shkodër, Paulin Zefi, zbulimi i dytë ndodhet në thellësinë nga 0.40 m deri 1.30 m (në veri të zbulimit të parë) që ndodhet pranë godinës së prefekturës. “Kjo strukturë murale përbëhet nga gurë masivë të tipit poligonal dhe në pjesën e mësipërme janë të mbuluar me një shtresë të trashë betoni, që na dëshmon se kjo ka qenë mbuluar qëllimisht për ta ruajtur gjatë punimeve të hershme që u bënë në periudhën e komunizmit”, – sqaron ai, paçka se duke u mbrojtur, struktura edhe është fshehur.

Bëhet fjalë në fakt, jo për një “urë” siç mund të jetë pretenduar, por sipas Zefit, për një ndërtesë antike të periudhës iliro-romake. “Ose, duhet të jetë pjesë e ndonjë ansambli ndërtimor antik, ndoshta rezidencë private e ndonjë aristokrati të kohës, që në Romën antike njiheshin si ‘Patrice'”-thekson ai.
Gjithsesi, ai bën me dije se gërmimet arkeologjike të zhvilluara në një hapësirë kaq të kufizuar (siç shihet nga fotot) nuk i kanë lejuar të krijojnë një definicion të saktë për këto asete kaq të rëndësishme që janë të fshehura nga nëntoka e pasur e qytetit të Lezhës.

Paulin Zefi, përgjegjës-specialist i sektorit të Monumenteve të Kulturës, Qarku Lezhë si pjesë e DRKK-Shkodër është gjithashtu edhe arkeolog.

Ai tregon se gjatë gërmimeve ka dalë në dritë një stratigrafi shumë e pasur me shumë shtresa kulturore të mbivendosura gjatë 2400 viteve histori të qytetit të Lezhës, ku nëntoka ka nxjerrë në pah edhe shumë materiale të imëta arkeologjike, një sasi shumë të madhe fragmentesh qeramike. “ASHA do të dërgojë informacionin pranë Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, ku do të merret edhe vendimi përfundimtar për fatin e këtyre zbulimeve të reja”, e mbyll ai sqarimin për “GSH”.

Botuar sot në Gazetën Shqiptare
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: