TIRANE– Gjatë ditë së sotme u mbajtën zgjedhjet në Akademinë e Shkencave për kryetarin dhe nënkryetarin e saj, të cilat u shoqëruan me debate të shumta, ndërsa në lidhje me këtë çështje reagoi edhe kryeministri Rama përmes një statusi në ‘Facebook’, ku mbështeti idenë e akademikut Artan Fuga, për reformim e Akademisë.

Kreu i qeverisë ka paralajmëruar se ky institucion nuk do të marrë asnjë qindarkë nga buxheti nëse nuk reformohet, ndërsa shton se duhet t’i jepet fund farsës.

“Meqë “Akademia” zgjodhi farsën uroj të gjejnë dhe fondet për vijimin e farsës! Fondet tona do t’i shkojnë universitetit për kërkim shkencor”, tha Rama. Por duke iu referuar një raporti financiar të vitit të kaluar, ky institucion ka marrë nga buxheti i shtetit 96 milionë lekë të reja në 2016-ën. Nga këto 94 milionë janë shpenzime pagash dhe 2 milionë lekë të reja investime.

Ky institucion nuk ka asnjë mënyre sponsorizimi apo financimi tjetër përveçse buxhetit të shtetit. Ndaj nuk dihet nëse Akademia e Shkencave do të gjejë ndonjë mënyre të re financimi apo do të shkojë drejt shkrirjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb