Kohët kur autostrada Tiranë-Durrës kushtonte rreth 30 milion euro, pak a shume 1 milion euro për kilometër, duket sikur nuk kanë ekzistuar. Sot kostot e ndërtimit të rrugëve në Shqipëri kanë kapur shifra të paimagjinueshme, madje ndoshta mund të jenë nga më të shtrenjtat në Botë.

Permes marifeteve të ndryshme në projektet që tenderohen krijohen volume pune të panevojshme vetëm për të rritur artificialisht kosto, madje shpesh herë këto volume pune janë dhe fiktive.

Në 2012 rindërtimi i rrugës Korçë-Ersekë qe projektuar me 1 milion euro kilometri. Loti i parë i këtij segmeti iu përmbajt këtyre kostove 15 milionë euro për gati 18 km rruge. Ndërkohë për lotin e dytë, pjesa e parë, që nis në Qafën e Qarrit kostot janë shumëfishuar, nga rreth 5 milion euro që ishin parashkuar në 2012, në 2020 tenderi është hapur me një vlerë prej 20 milion eurosh për 4,1 kilometra rrugë.

Për lotin e dytë të Korçë Erseke, Autoriteti Rrugor Shqiptar i drejtuar nga Ergys Verdho ka shpallur fituese të tenderit kompaninë “A.N.K” SH.P.K, e cila u bë e njohur për publikun për koncesionin tashmë të dështuar prej plot 256 milion euro për vetëm 17 kilometra të autostradës Milot-Balldre.

Në rritjen e kostove të lotit të dytë Korçë-Ersekë ka ndikuar ndryshimi i projektit fillestar. Autoriteti Rrugor Shqiptar, ka menduar për një gjurmë të re, por kjo gjurmë e re ka një kosto 5 herë më të lartë krahasuar me projektin e vitit 2012. Sipas dokumeteve të shpalljes të fituesit nga ARRSH në garë kanë marrë pjesë 5 kompani, ku ANK është shpallur fituese si ofertuesja më e mirë, por që gjithësesi ka qenë pranë fondit limit.

Nga 2,4 miliard lekë që ishte niveli maksimal, ANK ka kërkuar 2,35 miliard lekë për të kryer punimet. Rruga do të ketë një gjerësi modeste prej 6,5 metrash ku futen të dyja korsitë, dhe është e katogorisë C1, pra jo autostradë apo superstradë. Fryrja e kostove për projektet që fare mirë mund të bëhen me çmim më të lirë, po bëhet në një kohë kur vendi është mbërthyer nga pandemia dhe ku nevojat për investime në shëndetësi janë jetike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb