Nga: XHENSILA KODRA*
TIRANE – Një efektiv policie është shpallur në kërkim, pasi akuzohet për “Kultivim të bimëve narkotike” dhe “Shpërdorim të detyrës”. Sipas hetimeve të prokurorisë, Edvin Meko, oficeri i policisë së Komisariatit Kolonjë, rezulton të jetë kultivues i drejtpërdrejtë i lëndës narkotike, si edhe bashkëpunëtor me disa kultivues të tjerë në zonën e Ersekës, konkretisht në fshatin Qinam-Radovickë, të cilët janë identifikuar nga një hetim i Prokurorisë së Korçës, ndaj të cilëve gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest ne burg”.

Po ashtu, nga hetimet ka rezultuar se 35-vjeçari Meko, nëpërmjet familjarëve të tij, ka mbjellë dhe kultivuar disa parcela me kanabis në disa zona malore të Ersekës. Pranë parcelave të familjarëve të tij kishin mbjellë lëndë narkotike edhe shtetasit Krenar dhe Mariglen Nuredini. Këtyre dy të fundit, efektivi i policisë u kishte dalë garant se do t’i njoftonte në rast se do të kishte operacione policore në atë zonë.

sms

Operacionet
Në fund të muajit korrik, Prokuroria e Korçës siguron një informacion se në zonën ku operonin këta persona, ishin mbjellë sipërfaqe të mëdha me lëndë narkotike. Prokuroria e Korçës zhvilloi hetimet, në bazë të të cilave u krijuan dyshimet e provuara se punonjësi i policisë, Meko, bashkëpunonte me kultivuesit. Në mesin e gushtit, ndërkohë që prokuroria po zhvillonte hetimet e saj, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesa në Ministrinë e Brendshme referon një informacion po për punonjësin Edvin Meko. Pasi u sigurua informacioni i nevojshëm, në bazë të urdhrit të prokurorisë, në datë 22 gusht të këtij viti u organizua operacioni për zbulimin dhe asgjësimin e parcelave në zonën, e cila ishte objekt i këtij hetimi të prokurorisë.

Gjatë operacionit u faktuan dyshimet e krijuara nga ana e prokurorisë për kultivim lënde narkotike, pasi aty u zbuluan në total rreth 17.500 rrënjë kanabis sativa. Ndërkaq, burime pranë hetuesve të çështjes bënë me dije se gjatë operacionit të 22 gushtit, Edvin Meko, i cili ishte edhe vetë në terren së bashku me forcat e tjera të policisë, ka njoftuar me SMS Mariglen Nuredinin, që ky i fundit të largohej menjëherë së bashku me “dhitë” nga vendi ku ishin parcelat dhe të zhdukte gjithçka që mund të provonte autorësinë e tyre në kultivimin e bimëve narkotike. Gjatë operacionit kultivuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë vëzhguar në distancë veprimet e forcave të policisë që ndodheshin në vendngjarje më 22 gusht.

Më tej, Prokuroria e Korçës vijoi hetimet për të identifikuar organizatorët dhe porositësit e lëndës narkotike. Ditën që u bë ndërhyrja, policia nuk arrestoi asnjë person. Ndërsa, mëngjesin e djeshëm, duke qenë se gjykata e Korçës kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, u arrestuan 4 kultivues të disa parcelave me kanabis. Kështu, të arrestuarit janë Krenar dhe Mariglen Nuredini, Jorgo Kristali dhe Gramoz Beko. Sipas prokurorisë, këta dy të fundit dyshohet të jenë organizatorët dhe porositësit e lëndës narkotike të mbjellë në parcelat e të dyshuarve Nuredini. Ndërkaq, burimet e sipërpërmendura sqaruan më tej se janë duke hetuar edhe për persona të tjerë, të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në kultivimin e lëndës narkotike.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: