NGA ROLAND QAFOKU

Pak ditë më parë unë realizova një intervistë me ministrin e Jashtëm, Dimtri Bushati, në emisionin tim “Debati në Channel One”. Intervistën e zhvilluam në një sallë jo pak të njohur për ne gazetarët.

Ndodhet përballë zyrës së ministrit, dhe aty zakonisht kryhen pritje dhe takime të gjera, gjë që për ne gazetarët është e zakonshme.

Por këtë herë në këtë sallë unë pashë një objekt që më bëri shumë përshtypje. Tavolina e madhe ovale që shfaqet në foto është tavolina e mbledhjeve të qeverisë së Ahmet Zogut. I përket vitit 1924 kur ai e mori këtë post për herë të dytë dhe po këtë tavolinë e përdori edhe kur u bë president i republikës, detyrë që luante funksionet edhe të kryeekzekutuesit.

Ministri Ditmir Bushati më tregoi se tavolina gjendej e hedhur në bodrumet e Ministrisë së Jashtme, dhe prej një viti specialistë dhe mjeshtra të punës në dru, e kthyen atë në një gjendje jo vetëm muzeale, por edhe funksionale. Sot kjo tavolinë ka moshën 92-vjeçare dhe mund të jetë tavolina më e vjetër në Shqipëri që është në funksion akoma.

Imagjinoni për një çast, në atë tavolinë, përveç kryeministrit Zogu, janë ulur personalitetet më të rëndësishme të kohës, ndoshta më të trazuar që ka kaluar Shqipëria që nga themelimi i shtetit.

Ahmet Zogu ka qenë dy herë kryeministër: Hera e parë 2 dhjetor 1922 deri më 25 shkurt 1924, dhe hera e dytë nga 6 janari 1925 deri më 25 shtator 1925, si dhe President i Republikës me fuqi ekzekutuese nga 28 shtatori 1925 deri më 1 shtator 1928.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb