Ndërkohë që Edi Rama dhe IKMT shembën me 70 kg tritol “Prestige Resort” në Golem, një investim serioz i “Hysenbelliu Group”, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur 4 procedura tenderimi me vlerë 672 milionë lekë ose rreth 6 milionë dollarë për rigjenerimin urban në 21 fshatra me potencial turistik.

Një resort turistik i ligjshëm, i cili gjeneronte te ardhura dhe kishte qindra persona të punësuar u shemb me një buton pa asnjë shpjegim dhe pa asnjë dokument. Ndërkohë që pas mesazhit dhe ‘bombës’ ndaj investimeve në turizmit, qeveria vijon të hedhë miliona euro për të për ketë sektor, por me fitues të parapërcaktuar.

Fituesit janë shpallur një ditë më parë, ndërsa ajo që bie në sy është që në një prej procedurave të tenderimit nuk ka pasur garë dhe kjo nuk është një gjë e re për këtë institucion. Bëhet fjalë për “ndërhyrjen në fshatrat me potencial turistik Vermosh, Lepush, Curraj i Epërm, Shishtavec, Radomir dhe Rabdish”, në të cilën ka pasur mungesë konkurrencë për shkak se në garë ka marrë pjesë vetëm një kompani e cila ka ofruar një vlerë thuajse në limit të vlerës së tenderit. Veç kësaj për tre nga tenderat e zhvilluar ka pasur ankesa nga “Riviera Company 2008” SHPK, e cila është përjashtuar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave.

TENDERAT

Procedurat e tenderimit janë zhvilluar përgjatë muajve të verës, ndërsa fituesit janë shpallur vetëm një ditë më parë. Rritja e çmimeve dhe kriza e zgjatur nuk ka penguar institucionin e drejtuar nga Dritan Agolli “që të lëshojë dorën” për projekte dytësore. E njëjta gjë ndodhi edhe pak javë më parë, ku me një fond 1.3 milionë dollarë shkoi për mbështetjen e aktiviteteve si karnavale, paradë, ceremoni për ndarje çmimesh evente sociale-festa. Po ashtu, evente si konkurse sportive, lojëra argëtuese si edhe panaire, tregje, ekspozita apo dhe evente publicitare. Përmes 4 tenderave, fituesit e të cilëve janë shpallur dje, synohet rigjenerimi urban në 21 fshatra turistikë.

Sipas dokumenteve zyrtare për “Rigjenerimin urban në fshatra me potencial turistik, Vermosh, Lepush, Curraj i Epërm, Shishtavec, Radomir dhe Rabdish, është shpallur fituese kompania ‘Ndërtuesi 2014’ sh.p.k & ‘Nika’ sh.p.k. Në garë ka marrë pjesë vetëm një kompani, e cila është shpallur edhe fituese. Oferta e paraqitur nga kjo kompani ka qenë afër vlerës së te tenderit, rreth 187 milionë lekë. Tenderi tjetër është për “Ndërhyrjen e rigjenerimit uran në fshatrat Qytezë, Arrëz, Sinicë, Rehovë, Leus dhe Sotirë. Në garë kanë marrë pjesë 6 kompani, ndërsa fituese është shpallur oferta prej 150 milionë lekësh nga kompania “Almo Konstruktion” sh.p.k.

Edhe kjo praktikë nuk ka kaluar pa ankesa. Pretendimet për pezullimin e garës janë ngritur edhe në këtë rast nga operatori ekonomik “Company Riviera 2008” SHPK. Tenderi i tretë është për rigjenerimin urban në fshatrat FushëStuden, Sutaj, Seferan. Fituese është shpallur kompania “Ulza” shpk & “K.A.E.XH” shpk, me vlerë rreth 186 milionë lekë pa TVSH. Tenderi i fundit është ai për “Rigjenerimin urban në fshatrat Hekal, Klos, Vajzë, Pllocë, Tragjas dhe Kucc. Vlera e ofruar nga “Ed Konstruksion” shpk, që është dhe operatori ekonomik i shpallur fitues nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, është rreth 148 milionë lekë.

SHPËRDORIMI

Pak javë më parë, ky institucion ka zhvilluar një tjetër procedurë prokurimi me vlerë 1.7 milionë euro për instalimin e impianteve të energjisë diellore me qëllim furnizimin me energji të ndërtesave publike, apo për ndriçimin rrugor. Në garë morën pjesë 5 subjekte, ndërkohë që fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “HTM” sh.p.k dhe “BE–IS” sh.p.k me një ofertë prej 163,7 milionë lekësh ose 1,4 milionë euro, dhe që në fakt ka qenë oferta e tretë për nga çmimi. Përpara saj janë të renditura oferta e bashkimit të operatorëve kryesuar nga “START CO” sh.p.k me vlerë 139 milionë lekë ose 1.2 milionë euro, dhe ajo dhënë nga kompania “SIRETA” sh.p.k me vlerë 144.4 milionë lekë ose 1.25 milionë euro./Panorama/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb