TIRANE-Kryeministri Rama u ka kërkuar dorëheqjen kolektive të gjithë kryebashkiakëve socialistë që kanë tri mandate.
Burime pranë qeverisë pohuan për “Panorama” se kërkesa për dorëheqje i ka shkuar kryetarit të Bashkisë së Pogradecit Artan Shkëmbi, kryebashkiakut të Beratit, Fadil Nasufi, kryebashkiakut të Fierit Baftjar Zeqo dhe kryebashkiakut të Gjirokastrës, Flamur Bime.
Kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, është në proces penal dhe ai nuk përbën ndonjë pengesë për kandidatin e ri që koalicioni i majtë do të mandatojë për këtë bashki.
Artan Shkëmbi, kryetari i Bashkisë së Pogradecit, ishte i pari që iu përgjigj kërkesës së Kryeministrit Rama, duke dhënë dorëheqjen dy ditë më parë dhe duke u bërë thirrje dhe kolegëve të tjerë që të ndjekin shembullin e tij.

Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Bime, ka refuzuar dorëheqjen, madje ka deklaruar se do të garojë si i pavarur. Por menjëherë ndaj tij ka ardhur një padi nga një strukturë në varësi të qeverisë.

Pavarësisht këtij ultimatumi, ‘Shekulli’ raporton se kryebashkiakët e PS-së nuk kanë ndërmend që të largohen dhe thonë se do jenë pjesë e garës, nëse i zgjedhin strukturat.
Për Shekullin kanë folur Fadil Nasufi i Beratit, Qazim Sejdiu i Elbasanit dhe Gëzim Topçiu i Maliqit.

Reagimi i kryebashkiakëve

“Përshëndes dorëheqjen dhe apelin për kolegët, të z. Shkëmbi. Për vete i jam bindur dhe i bindem vullnetit politik të PS-së dhe ushtroj përgjegjësinë publike deri në ditën që kam të drejtën e ushtrimit të mandatit si i zgjedhur”, – deklaroi kryebashkiaku i Beratit, Fadil Nasufi i cili qëndron në këtë post prej tre mandatesh. Ai shtoi se Partia Socialiste nuk ka asnjë pengesë që të zëvendësojë kryetarët aktual me prurje të reja, por nuk mund të flitet për qëndrime kolektive pas dorëheqjes së Shkëmbit. “Nuk ka asnjë pengesë forca ime politike për të bërë zgjedhjen e duhur dhe për të zëvendësuar kryetarët aktualë me prurje te reja. Nuk është fjala për qëndrime kolektive dhe as për solidaritet për një gjë që është krejt normale”, – pohoi Nasufi ndërsa shton se karriget janë të sovranit dhe jo të të zgjedhurve. “Ne jemi të nderuar që kemi shërbyer në këto funksione publike për kaq kohë! Mua më intereson emri dhe respekti që lë pas, dhe jo mandati apo karrigia e radhës. Rëndësi ka që unë jam në frontin e luftës politike të Partisë Socialiste dhe koalicionit “Për Shqipërinë Evropiane”, për shtetndërtimin dhe mbështetjen e reformave të qeverisë, pavarësisht se ku do jem pas 21 qershorit”, – theksoi ai.

E ndërkohë edhe më i distancuar qëndron kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini. Sipas tij dorëheqja e kryebashkiakut të Pogradecit është qëndrimi i tij personal. “I di vetë zoti Shkëmbi ato punë. Ai ka bërë një thirrje, është problem i tij dhe qëndrim thjesht personal”, – tha ai. I pyetur nëse do të jetë pjesë e garës së 21 qershorit, Sejdini tha se: “Unë do të jem pjesë e garës për aq kohë sa të më dojë partia dhe populli. Unë nuk jam pjesë e dorëheqjeve. Kam një mandat, do ta çoj atë deri në fund. Do ta vazhdoj me nder ose do ta lë me nder, këtë e di partia dhe qytetarët e Elbasanit. Por bashkë me qytetarët ama, jo vetëm partia”. Edhe për kryebashkiakun e Maliqit, Gëzim Topçiun, i cili shënon dhe rekordin në këtë post me plot katër mandate, vendimi i kolegut të tij është personal.

“Është një vlerësim personal i zotit Shkëmbi, e vlerësoj për atë që bëri. Nuk mund të them gjë tjetër”, – pohoi Topçiu. I pyetur për mesazhin e Shkëmbit se: “S’kemi lindur për t’u plakur në karriget që na kanë thënë të tjerët”, kryebashkiaku i Maliqit tha se këtë e vendosin votuesit. “Këtë e vendos votuesi. Nëse populli apo struktura vendos që nuk do të jesh më, nuk do të jesh më. Por kjo nuk vendoset kështu”, – deklaroi ai.

Topçiu deklaroi se do t’i bindet vendimit të strukturave dhe nëse propozohet sërish, do të jetë pjesë e garës elektorale të 21 qershorit për një mandat të pestë. Kryebashkiaku i Pogradecit, Artan Shkëmbi dha dy ditë më parë dorëheqjen duke i hapur rrugën një kandidati të ri për kryesimin e kësaj bashkie, pas zgjedhjeve të 21 qershorit. Nga selia e Partisë Socialiste, Shkëmbi nuk dha arsye të largimit por vetëm e njoftoi atë me argumentin se “s’kemi lindur për t’u plakur në karriget ku na kanë ulur të tjerët”. Por Shkëmbi gjatë fjalës së tij ‘paralajmëroi’ se edhe kryebashkiakë të tjerë nuk do të jenë më pjesë e listës së re të kandidatëve.

“Dua, pse jo, të jap edhe një mesazh modest mirënjohjeje dhe përgjegjshmërie ndaj forcës sime politike, i cili mbase mund t’iu vlejë qindra të zgjedhurve që janë votuar falë mbështetjes së PS-së por që nuk do të jenë dot më kandidatë. Jo vetëm s’kemi lindur për t’u plakur në karriget ku na kanë ulur të tjerët, por kemi detyrimin t’ia kthejmë familjes sonë politike investimin e bërë për ne, me gatishmërinë për të vazhduar t’i shërbejmë qoftë edhe si komisionerë të thjeshtë në zgjedhje”, – deklaroi Shkëmbi.

Propozimi i Finos: Kryetarë bashkie vetëm për 2 mandate
Deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino propozon kufizim të të drejtës së të zgjedhurve vendorë për të rikandiduar për postin e kryetarit të bashkisë. Gjatë diskutimeve të djeshme në Komisionin e Ligjeve të ndryshimeve në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, ligjvënësi i selisë rozë propozoi që kryebashkiakët mos qëndrojnë në këtë detyrë më shumë se 8 vite. “Propozimi im, të cilin e kam personal sepse nuk kam rënë dakord me përfaqësuesit e qeverisë, është që kryetari i bashkisë së re të zgjidhet 4-vjeçarin që fillon në 21 qershor të këtij viti dhe një 4-vjeçar tjetër, por pas 8 vjetëve mos zgjidhet më. Gjithsesi ky është një propozim i imi dhe nëse nuk gjen mbështetje në Komisionin e Ligjeve unë do ta sjell amendament në seancë plenare”, – deklaroi relatori Fino ndërsa diskutohej nen për nen drafti i qeverisë. Pas komentit të kryetarit të komisionit, Fatmir Xhafaj nëse ky propozim vlente edhe për ata që kanë bërë dy mandate deri tani, Fino sqaroi se: “Nuk e kam për ata, them këta që fillojnë tani”. “Vetëm këtyre do t’ua lidhësh këmbët, atyre që kanë tre deri tani, le të bëjnë dhe nja 2 të tjerë…”, – shtoi Xhafaj. Por sipas Finos kjo është çështje e partive politike. Sugjerimi i tij nuk gjeti mbështetje në Komisionin e Ligjeve çka bën që socialisti Fino ta paraqesë atë si amendim në seancën plenare të së enjtes.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: