TIRANË

Anëtarja e Gjykatës Administrative, Enerjeta Shehaj akuzohet se shfrytëzoi postin për të shpëtuar bashkëshortin prokuror nga ndjekja penale. Për t’ja arritur qëllimit, thirri në takim kolegen e saj gjyqtaren, Marcela Shehu, e cila po shqyrtonte ankimimin e bërë nga avokati Dedë Guri kundër prokurorit të Lezhës, Erjon Shehaj.

Mbrojtësi ligjor e kallëzoi përfaqësuesin e institucionit të akuzës për shpërdorim detyre, por prokuroria e Kurbinit e pushoi cështjen me argumentin se nuk kishte vepër penale. Edhe pse avokati thotë se nuk u krye asnjë hetim, për këtë shkak, Dedë Guri iu drejtua gjykatës dhe kërkoi riçeljen e hetimit.

E ndërsa priste vendimit, çifti i bashkëshortëve lëvizi çdo gur t’ja hidhte drejtësisë, derisa e bëri realitet.  Tri ditë pasi mbrojtësi ligjor i kapi mat teksa qëndronin kokë me kokë dy gjyqtaret, njëra gruaja e prokurorit që pati denoncuar dhe tjetra gjyqtarja e çështjes, Marcela Shehu firmosi në favor të Erjon Shehajt.

Në këtë mënyrë, Enerjeta Shehaj, duket se arriti ta ushtronte deri në fund ndikimin e saj të paligjshëm, çka për të cilin nuk u hetua kurrë si duhet nga institucionet, për faktin se gjykata e Apelit Durrës, e mbylli çështjen për të.

Tashmë që Enerjeta Shehaj, kandidon për një post në Gjykatën e Lartë, është pikërisht mikesha e saj, Marcela Shehu, e cila do të jetë një ndër njerëzit që do të vendosë për promovimin ose jo në detyrë. Kjo për shkak se Marcela Shehu, nga gjyqtare në Kurbin është ngritur në detyrë, duke u votuar si anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësior, institucion që promovon në karrierë gjyqtarët. Nëse Shehaj do t’ja dalë të kalojë me sukses testin e vettingut, atëherë do të kërkojë votën e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, mes tyre dhe të mikeshës së saj, që më herët i shpëtoi edhe burrin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb