Një program kompjuterik jashtëzakonisht i ndërlikuar dhe mjaft i fshehtë është zbuluar rastësisht nga kompania e sigurisë së sistemeve kompjuterike dhe internetit Simantek.

Ekspertë të saj thanë se virusi kibernetik ishte evidentuar në serverat e disa kompanive të mëdha që ofrojnë shërbimin e internetit, koorporata botërore energjie, kompani ajrore, sigurimi e madje edhe në laboratorë të mëdhenj kërkimesh shkencore.

Virusi infiltrohej me një mënyrë të fshehtë, që deri më tani nuk ishte hasur asnjëherë nga antivirusët ekzistentë. Fshehja e gjurmëve ishte gjithashtu një veti unike.

Sipas ekspertëve, këto veçori të japin të kuptosh se qëllimi kryesor i virusit ishte survejimi në fshehtësi i objektivave të tij, për një kohë të gjatë.

Hidhen dyshime se kjo mund të mos jetë vepër e hakerave, por e ndonjë shërbimi inteligjent kombëtar. Sipas Simantek, 29% e firmave nën survejimin e këtij programi ishin ruse dhe 24% arabe.

Ndër to bënin pjesë edhe kompani meksikane, indiane, iraniane e austriake. Për herë të parë, prania e këtij programi ishte vënë re në vitin 2009, por ishte ende i panjohur funksioni i tij.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb