Në vendin ku punonte si kryekuzhinier në  Agjencinë Kosovare të Intelegjencës, ditën e 4 shtatorit,  Isa Sejdiu kishte filluar punën sikurse çdo ditë tjetër. Mirëpo, po atë ditë, ai ishte penguar gjatë kryerjes së detyrës, nga një koleg i tij. Kjo pasi shefi i kuzhinës, një ditë para se të ndodhte ngjarja, iu kishte thënë kolegëve të tij se së shpejti do të emërohej në pozitën e zëvendës drejtorit të AKI-së. Kjo deklaratë nuk ishte pritur aspak mirë prej të dyshuarit kryesor për vrasjen e Sejdiut, Valon Ibërdemajt.

Ibërdemaj që në AKI punonte si roje objekti, atë ditë kishte marrë pistoletën me vete e ishte nisur për në punën e tij te Agjencia. Me të hyrë aty, nga tri metra largësi ka vrarë kolegun e tij, Isa Sejdiun me dy plumba, e tashmë për këtë rast prokuroria ka ngritur edhe aktakuzë kundër tij.  Sipas njërit nga dëshmitarët, para se ta vriste, Ibërdemaj kishte hyrë në zyrë e kishte thirrur emrin e kryekuzhinierit e pastaj e kishte qëlluar.

“Valon Ibërdemja ka hyrë në restorant me armë në dorë në drejtimin tonë dhe duke thirrur Iso, kolegu Isa Sejdiu i është përgjigjur “Urdhëro xhaxh” dhe pas këtyre fjalëve, Valoni nga një distancë tri metra ka shtënë me armë në drejtim të viktimës. Pas dëgjimit të krismave, kam filluar të iki nga dera e kuzhinës për të shkuar në drejtim të zyrave të punëtorëve të AKI-së, për t’i njoftuar për incidentin e rëndë”, tha një nga dëshmitarët.

Pasi ndodhi ngjarja, Ibërdemaj tentoi edhe të largohej nga vendi i krimit, e për të shpëtuar nga kapja nga organet e rendit, mori peng edhe një punëtore të AKI-së. Asaj ia vuri pistoletën në kokë, dhe e kishte dërguar deri te makina që ndodhej në parkimin e Agjencisë së Inteligjencës. Punëtorja e AKI-së, ka treguar para prokurorisë versionin e saj për rastin, duke thënë se njëherë kur ai e kapi për dore me pistoletë në dorë, kishte menduar se po e shpëtonte nga ndonjë ngjarje që mund të kishte ndodhur nga dikush tjetër brenda institucionit.

“Valon Ibërdemaj më ka kapur dorën e majtë dhe më ka thënë F hajde me mua.Kam vazhduar të eci duke e ditur që Valoni ishte roje i objektit dhe kam menduar se po më mbron për shkak se ka ndodhur diçka në brendi të objektit. Në të njëjtën kohë që Valoni mbante armën, disa hapa më tej iu është drejtuar kolegëve dhe iu ka thënë që mos të afroheshin dhe ju ka drejtuar armën në kokë. E di që më ka thënë ‘hajde se do ikim te makina’, ndërsa unë i thashë që nuk kam çelësa. Valoni më tha se unë i kam çelësat e makinës sime dhe ti duhet të më nxjerrësh jashtë. Pasi jemi nisur, më ka thënë ec shpejt”, ka deklaruar ajo.

Më tutje, derisa kishte vazhduar rrugën drejt portës kryesore, Valon Ibërdemaj, kishte kërcënuar se do ta vrasë punëtoren që e kishte marr peng, në rast se do të pengohej. Pasi kishte dalë nga makina bashkë me vajzën që e kishte marr peng, Ibërdemaj kishte tentuar të dalë jashtë objektit të AKI-së. Por, aty ishte penguar nga kolegët, ndërsa njëri nga ta i kishte thënë që “nësë dëshiron të vrasësh ndokënd, më vrit  mua”. Pas kësaj i akuzuari Valon Ibërdemaj, pikërisht këtij pjesëtari të sigurisë ia kishte dorëzuar pistoletën që mbante me vete.  Tani, përveç vrasjes së rëndë, Valon Ibërdemaj, akuzohet edhe për rrëmbim e armëmbajtje pa leje.

Prokurori Ilaz Beqiri që po merret me rastin ka deklaruar për T7 se sipas tij ngjarja ka ndodhur për motive xhelozie.

(d.xh/ BalkanWeb)

 

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: