Nëse flini në pozicionin e gabuar, mund ta zhvendosni shtyllën kurrizore nga drejtimi i duhur dhe të shtypni muskujt apo nervat me orë të tëra, çdo natë.

Nuk është çudi që gjumi i përnatshëm të ndikojë në dhimbjen e qafës dhe të mesit (si dhe në disa të tjera, si: mpirja e krahëve, gishtave dhe vështirësitë kronike të frymëmarrjes). Pozicioni ideal për të fjetur është në kurriz, pa jastëk, sepse ndihmon shtyllën kurrizore të pushojë sipas formës së saj natyrale. Gjithsesi, nëse nuk ju zë gjumi në këtë pozicion, këtu keni disa sugjerime:

NËSE FLINI NË KRAH
Përdorni një jastëk që mbush hapësirën midis veshit dhe shpatullave, ndërkohë që i mbani të dyja anët e qafës njësoj të zgjatura. Kjo ndihmon frymëmarrjen dhe parandalon tejzgjatjen e njërës anë të qafës. Përdorni një jastëk të dytë (15-20 centimetra të lartë) ndërmjet gjunjëve për të parandaluar përthyerjen e tepërt të njërës këmbë, që sjell edhe rrotullimin e pelvisit dhe shtrembëron pjesën e poshtme të shtyllës.

NËSE FLINI PËRMBYS
Provoni të ndryshoni pozicion dhe të flini në anë. Pozicioni përmbys është i dëmshëm për shtyllën kurrizore, sepse sheshon formën natyrale të pjesës së poshtme të kurrizit dhe e mban kokën në një anë gjithë natën, duke shtrembëruar qafën. E gjithë kjo mund të sjellë dhimbje kronike të shpinës, të qafës dhe dhimbje koke. Për shkak se pesha e trupit shtyp mushkëritë, pozicioni përmbys vështirëson frymëmarrjen e thellë. Provoni të shtriheni në anë dhe të vendosni një jastëk midis gjunjëve dhe të përqafoni një tjetër, për të imituar shtypjen që ofron fjetja përmbys, por pa humbur drejtqëndrimin apo pa shtypur nervat dhe organet.

NËSE FLINI NË KURRIZ DHE JU PËLQEJNË JASTËKËT E LARTË
Përdorimi i një jastëku të lartë kur flini, e shtyn përpara kokën në mënyrë krejt të kundërt me formën natyrore të vertebrave të qafës, që mund të sjellin dhimbje qafe dhe koke. Ndërrojeni jastëkun e lartë me jastëkun më të hollë që mund të duroni (ata të butët, që shtypen shumë). Nëse zgjoheni shpesh me dhimbje qafe, përpiquni ta ndërroni atë jastëk me një jastëk qafe (bëjeni edhe vetë duke mbështjellë një peshqir duarsh). Vendoseni jastëkun e qafës në pjesën e poshtme të saj për disa minuta, për të rikthyer në vend unazat e qafës dhe për të shmangur dhimbjen dhe më pas kthehuni te jastëku i zakonshëm.

NËSE FLINI NË NJË DYSHEK TEPËR TË BUTË OSE TË FORTË
Nuk ka prova përfundimtare që të tregojnë se shpina ka nevojë për një dyshek tepër të fortë apo tepër të butë, por shumë ekspertë janë dakord që duhet të flini mbi atë dyshek ku shpina ndien më shumë rehati. Nëse zgjoheni me dhimbje shpine pasi keni fjetur në një dyshek të butë, ndoshta duhet të përdorni një më të fortë ose një dyshek japonez “Futon”. Po kështu, nëse pasi keni fjetur në një dyshek të fortë si shkëmb, në mëngjes ju duket sikur e keni kurrizin me gunga, përpiquni të shtoni një shtresë polisteroli në shtratin tuaj. Nëse e ndani shtratin me partnerin, ndoshta duhet të blini një dyshek që mund të rregullohet sipas dëshirës, në mënyrë që secili prej jush të përshtatë anën e vet të dyshekut.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: