Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano konfirmoi se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës do të vazhdojë muajin tjetër. Ai pohoi se Bashkimi Europian po vazhdon angazhimin e saj të plotë në këtë drejtim, duke përmendur vizitën e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak në Prishtinë dhe Beograd. “Si rezultat i bisedimeve të tij, ne mund të njoftojmë se dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës do të vazhdojë në korrik”,- tha Peter Stano.

Zëdhënësi i BE-së tha se ende nuk ka një datë specifike, por që të dyja palët kanë rënë dakord për vazhdimin e dialogut në Bruksel, dhe se aktualisht janë duke punuar për caktimin e një date. Presidenti serb, Aleksandar Vuçicc dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pritet të vizitojnë Brukselin gjatë kësaj jave për bisedime më zyrtarët evropianë.

Sipas zëdhënësit të BE-së, këto do të jenë “vizita të ndara dypalëshe”, të cilat nuk kanë lidhje me vazhdimin e dialogut. Vuçicc dhe Hoti do të qëndrojnë në Bruksel para takimit të ardhshëm midis delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 27 qershor. Më herët kishte aludime se para takimit në SHBA, do të ketë një përpjekje për të organizuar një takim mes palëve në Bruksel. Sidoqoftë, të hënën, pas takimit me Mirosllav Lajçak, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi se nuk kishte pajtim për një takim të përbashkët.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb