Çdo ndërhyrje nga Shtetet e Bashkuara në konfliktin Iran-Izrael do të sinjalizonte një “spirale të tmerrshme përshkallëzimi”, tha të enjten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencisë së lajmeve Interfax.

Më parë, Presidenti rus Vladimir Putin tha se “një zgjidhje” e pranueshme si për Izraelin ashtu edhe për Iranin “mund të gjendet”, pothuajse një javë pas fillimit të sulmit izraelit ndaj Republikës Islamike, një aleate e Moskës.

Siç argumentoi ai, bombardimet vetëm sa e forcojnë mbështetjen e popullsisë iraniane për udhëheqjen e vendit .

“Është një çështje delikate, sigurisht që duhet të jemi shumë të kujdesshëm, por sipas mendimit tim, në përgjithësi, një zgjidhje mund të gjendet”, u tha presidenti rus gazetarëve të mediave të huaja, duke iu referuar një zgjidhjeje të mundshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës.

Historikisht, Rusia ka marrëdhënie të mira me Izraelin, ku jeton një komunitet i madh rusishtfolës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb