Analisti dhe pedagogu Fitim Zekthi i ftuar në rubrikën “Opinion” në “Neës 24” deklaroi se Edi Rama ka dështuar në cdo fushë të qeverisjes së tij, duke shtuar se në fund të mandatit të dytë, ai do të shkatërrohet përfundimisht.

Zekthi tha se Edi Rama nuk ka shifra për fitore, ndërsa nënvizoi se opozita, nëse duhet, do të garojë me një listë.

Gazetari: Cfarë mendoni ju se do të ndodhë pas gushtit, me mbylljen e sesionit parlamentar. Sa mendoni ju se janë të hapura mundësitë që ndryshimet kushtetuese të përkthehen në kod në mënyrë që t’i pajtojë palët?

Fitim Zekthi: Unë mendoj se edhe tani në mes të verës, politika është prapë e nxehtë. Nën rrogoz ka shumë betejë dhe luftëra politike, ka dinamika, intriga etj. Mendoj se në shtator politika do të shfaqet shumë më e ashpër. Unë e shoh të vështirë shumë që palët të kenë dakordësi për Kodin Zgjedhor. Që Kodi Zgjedhor do të ndryshojë kjo nuk diskutohet fare.

Ato që ndodhën me ndryshimet në Kushtetutë, do të përkthehet me disa ndryshime në Kodin Zgjedhor. Nuk shpresoj që Kodi Zgjedhor do mundësojë që të mund të garohet me lista plotësisht të hapura dhe të garohet me koalicione sikur ishim deri para se të ndryshojë Kushtetuta. Ndryshimet Kushtetuese i kanë vënë kapakun njëherë e mirë një gjëje së paku në këto zgjedhje: Nuk do kemi garë me koalicione partiake parazgjedhore sic ka qenë deri tani. Kjo është përpjekje e kryeministrit tonë. Ai hyri në luftë me SHBA, me ambasadën amerikane në Tiranë, me partnerët tanë më të rëndësishëm, me opinionin publik, me gjithkënd. Rama bëri gabim të rëndë të detyruar. Pra, Rama nëse nuk do të ndryshonte Kushtetutën sic e ndryshoi, do kishte humbur zgjedhjet në tavolinë që tani.

Duke ndryshuar Kushtetutën, duke i pamundësuar opozitës koalicione para-zgjedhore, ai shpreson se është ende në lojë, ndonëse nuk është në lojë fare. Aritmetika është aq e keqe për zotin Rama, sa ai në gjykimin tim, nuk e kuptoj, se ku do ta gjejë motivin dhe forcën që të rrijë 9 muaj në zyrën e kryeministrit që të presë dënimin me vdekje në njëfarë mënyre.

Ky makth e shtyu të bëjë ndryshime kushtetuese. Ky makth e bëri që të hyjë në konflikt me të gjithë dhe ky makth do ta shtyjë që Kodin Zgjedhor ta bëjë në mënyrë të tillë që pamundësojë koalicionet dhe të mos lejojë listat e hapura. Listat e hapura ka qenë që herët një gënjeshtër e madhe. Nuk ka hapje listash, por ka lista të mbyllura me emër të ri.

Por nuk u diskutua një problem shumë i rëndë që kemi ne që ndodh në Bangladesh e në Gambia mesa di unë. Kemi blerje votash në mënyrë kirurgjikale, me lista, A-ja, B-ja, C-ja nuk ndodh asnjë nga këta vende. Pushteti i PS dhe lidhjet me krimin e organizuar sic është, nuk ndodh në asnjë vend të botës e tillë mpleksje. Në vend se të merremi me shit-blerjen e votës, u morëm me listë e hapur dhe listë e mbyllur. Nuk ka sistem që zgjidh blerjen e votës, aq më tepër me njerëz që vijnë nga krimi, me njerëz lokalë të PS. Problemi ynë është blerja kirurgjikale e votës.

Gazetari: Njerëzit sidoqoftë ndjenin mungesë përfaqësimi me këtë sistem që ishte…

Fitim Zekthi: Blerja e votës në gjykimin tim është e vështirë por jo e pamundur të zgjidhet si problem. Në disa raste mund të bëhet edhe shumë e thjeshtë. SPAK mund ta bllokojë, sepse mund të vendosë në përgjim nga kryeministri deri tek më i fundit përgjegjës. Mund të gjendet zgjidhje, por mungon vullneti. Sipas librave kriminalistikë dhe politologjia e thotë, në një cështje, kur ajo hetohet, kapen njerëzit më të ulët në rang dhe këta kthehen në të penduar, tregojnë kush ka pasur fajet e derisa shkon zinxhiri në krye.

Tek ne arrestohen komisionerët. Tek ne thonë arrestuam ata që bënë krime elektorale. Prsh në SHBA, kur u hetuan ndërhyrjet ruse, dolën disa njerëz të afërt të Trump të përfshirë, por nuk u shkua tek presidenti se doli që nuk ka dorë. Kështu bëhen hetimet. Nëse do SPAK, e zgjidh që nesër këtë cështje.

Gazetari: Në këto kushte, cfarë do të bëjmë?

Fitim Zekthi: Marrëveshja e 5 qershorit zgjidh mos-votimin e një njeriu 2 herë, por nuk e zgjidh cështjen e shit-blerjes së votës. Do ta mpakë manipulimin në një masë të caktuar. Kemi sistem ky kryeministri është në krye dhe është zinxhir gjithcka. Kjo qeveri investon në propagandë, sa suksesi matet me like. Janë kapur 8 tonë drogë dhe është e rëndë. Opozita ka pasur denoncime të guximshme për shumë cështje që tek kriminalizimi i politikës, zbërthimi i lidhjeve kriminale të qeverisjes etj.

Edi Rama e shiti Saimir Tahirin si njeriun e suksesshëm, ndërsa e vërteta ishte një skëterrë. E vërteta është e zezë. Tahiri ka akuzë nga Prokuroria. Nuk ndodh kjo as në Kulumbi. Ka akuzë zyrtare ndaj Tahirit. Në këto kushte, opozita e ka shumë të vështirë të prodhojë entuziazëm, se përditë shpik shpifje. Opozita ka bërë përpjekje të mëdha për të prodhuar të vërtetën.

Gazetari: Publiku është i interesuar të dijë nëse opozita do të fitojë apo jo?

Fitim Zekthi: Sigurisht që do të fitojë. Qeverisje kaq dramatike bien e shkatërrohen përfundimisht. Chavesi, Putini etj kanë ndryshuar Kushtetutën që të marrin mandate të treta. Regjimet autokratike bien në krizë të thellë në fund të mandatit të dytë dhe duhet të thyejnë Kushtetutën për të marrë pushtet. Ne e dimë që qeveria e Ramës ka dështuar totalisht. Rama ka dështuar në ekonomi, në shëndetësi, në arsim, në gjithcka. Edhe Zoti Rama e di këtë gjë dhe njerëzit cfarë do të ndodhë, nuk do e votojnë më Ramën. Njerëzit mezi presin ta ndëshkojnë.

Gazetari: Cfarë duhet të bëjë opozita që të shmangë humbjen e votave nga shit-blerja sic pretendohet…

Fitim Zekthi: Unë mendoj se opozita do të garojë me një listë të përbashkët, të gjitha partitë opozitare ku do jenë kandiatët e PD, të LSI, PDIU etj. Opozita do ta bëjë këtë. Mendoj se qeveria është aq mizerable dhe kjo është kauzë e shqiptarëve. Kjo është e vërteta. Opozita do të shkojë në listë të përbashkët. Ka koalicion të madh kombëtar njerëzish që janë kundër kësaj qeverie, që nuk mund ta prishë këtë koalicion askush, as Basha, as Kryemadhi, askush.

Opozita është e dënuar ta mundë zotin Rama. Nëse zoti Rama del qoftë me një mandat më shumë, nuk do pranohet. Nuk do e pranonin shqiptarët më në qeverisje. Ai është dështim i vërtetë. Kemi realitetin që papunësia është dramatike, niveli i varfërisë mizerabël, ka njerëz që nuk kanë të blejnë paracetamol, qytetarët po ikën, nuk ka Gjykatë Kushtetutese, nuk ka Gjykatë të Lartë. Është e skëterrë gjithcka. Kur ke kaq shumë pushtet, ti je përgjegjës.

Nuk po them madje për vendin e punës, por korrupsioni këtu është gjigand. Unë di rast dramatik të gjendjes sociale në vend, që kur cohet fëmija të shkojë në shkollë, babai cohet të ikë diku sepse nuk ka 50 lekë për t’i dhënë fëmijës. Politologët thonë se zgjedhësit bëjnë dy pyetje përpara se të votojnë. Pyetja e parë është që a duan zgjedhësit që kryeministri të jetë akoma në pushtet.

Unë them se nëse u thua shqiptarëve se a e duan zotin Rama kryeministër, unë besoj se pjesa dërrmuese e popullsisë do thotë “jo”. Edhe socialistët nuk e duan atë. Pyetja e dytë: A e doni zotin Basha kryeministër, të zëvendësojë zotin Rama? Më shumë do ketë “po” sesa “jo”, kjo gjë nuk diskutohet. Sigurisht që shqiptarët do të duan të zëvendësojnë zotin Rama me zotin Basha.

Gazetari: Cfarë presim në të ardhmen?

Fitim Zekthi: Unë besoj se nëse PD thotë se situata është e rëndë, se PD e ka të sinqertë kauzën, nëse zoti Basha hap partinë, nëse zoti Basha do të mbajë fjalën atëherë do të mund të kemi një fryme të re. Nëse kemi këtë narracion që dominohet nga opozita, do kemi ortek mbi maxhorancën. Unë besoj se opozita do të sakrifikojë me një listë të përbashkët dhe do fitojë zgjedhjet.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb